E Diel, 1 Nëntor 2026

Depozitat e shqiptarëve në bankat e huaja, BSH-ja merr masa për mosdaljen jashtë

Paratë e depozituara mund të transferohen në Greqi, Itali apo Austri. Filialet e bankave të huaja fondet e lira i investojnë në bankat mëmë

Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar edhe një herë fenomenin e transferimit jashtë vendit të parave të depozituara nga klientët shqiptarë në bankat e huaja. Sipas BSH-së, “depozitat me afat në bankat jorezidente (filialet ose degët e bankave të huaja) janë të mëdha dhe vihet re tendenca që kanë këto banka që fondet e lira t’i investojnë në bankat mëmë, Greqi, Itali, Austri etj”. Depozitat me afat, të vendosura në institucione financiare jorezidente, përfaqësojnë vendosjet kryesore në këto institucione, rreth 91 për qind në tetor 2008. Ato ndiqen nga llogaritë rrjedhëse, të cilat përbëjnë rreth 5.2 për qind të vendosjeve dhe huatë dhënë këtyre institucioneve me peshë 3.8 për qind. Rreth 67.5 për qind e depozitave në institucione financiare jorezidente në fund të muajit tetor janë me afat maturimi deri në një muaj.

Bien të ardhurat e bankave

Rezultati neto i bankave gjatë 3-mujorit të tretë të vitit ka ardhur në rënie, si pasojë e rënies ekonomike, nga e cila nuk ka shpëtuar as Shqipëria. Të dhënat nga BSH-ja bëjnë të ditur se performanca e sistemit bankar e matur në vlerë absolute, nëpërmjet rezultatit neto, ka qenë më pak e mirë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërkohë që treguesit e tjerë që vlerësojnë cilësisht efektivitetin e sistemit bankar tregojnë për një performancë të krahasueshme me fundin e qershorit. “Referuar të njëjtës periudhë të një viti më parë, treguesit e efektivitetit përgjithësisht janë më të ulët si pasojë e rritjes së shpenzimeve për provigjone gjatë vitit 2008 dhe e rritjes së shpenzimeve të veprimtarisë së bankave, ndërkohë që e ardhura operative nuk ka qenë plotësisht në nivelin e duhur, për të mbuluar shpenzimet e rritura”, - thuhet në deklaratën e BSH-së. Gjatë 3-mujorit të tretë është vënë re edhe një fenomen tjetër, ku bankat e vogla kanë paraqitur rritje më të madhe se sa ato të mesme dhe të mëdha. Grupi “G1” i bankave ku futen disa banka të vogla të sistemit, ka pasur një rritje të aktiveve me 12.6 për qind ose 3.5 miliardë lekë, pasuar nga grupi “G2” ku hyjnë bankat e mesme dhe “G3” ku janë bankat e mëdha. Aktivet e sistemit bankar u rritën edhe në 3-mujorin e tretë të vitit 2008 me rreth 50.06 miliardë lekë ose 6.2 për qind.

Ulet kredimarrja

Kredia individuale ka qenë në rënie gjatë gjithë këtij viti. Rritja e çmimeve të artikujve jetësorë ka bërë që shqiptarët të kenë gjithmonë e më pak guxim për të marrë kredi në banka. Kredia më e madhe është dhënë për bizneset dhe kryesisht për degë si tregtia, riparimi i automjeteve etj. Më pak i kredituar nga bankat vazhdon të jetë sektori i bujqësisë dhe kjo për vetë problemet që vazhdojnë të ekzistojnë në këtë sektor. Pjesa dërrmuese e kredive për individët ka shkuar për ‘blerjen e pasurive të paluajtshme’, kryesisht shtëpi banimi. Kredia e keqe vazhdon të jetë në nivele të larta për shkak të rënies ekonomike. Shumë njerëz nuk arrijnë të shlyejnë kreditë e marra ndërkohë që problemet me pronësinë vazhdojnë të jenë një problem evident me të cilat përballen bankat. Rritja e kredisë me probleme ishte dhe arsyeja që BSH-ja dha alarmin në fillim të këtij viti. Ajo vendosi rregulla strikte për bankat, duke i detyruar ato të ndjekin rregulla të reja për kreditë e dhëna.

Rritet kapitali aksioner

Në 3-mujorin e tretë të vitit 2008, kapitali aksioner i sistemit bankar në vend u rrit me rreth 4.5 miliardë lekë apo 6.5 për qind, duke arritur në 68.5 miliardë lekë në fund të shtatorit 2008. Këtë 3-mujor, të tre grupbankat kanë prezantuar rritje të kapitalit aksioner. Raporti i aktiveve mbi kapitalin aksioner të sistemit ose ndryshe “leva” financiare e sistemit është zvogëluar nga 13.1 në 12.5 përgjatë një viti, që do të thotë se sistemi është mbështetur më pak në borxh për financimin e aktiveve. Treguesi i raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin ka shfaqur përgjithësisht tendencë rënëse deri në dhjetor 2007, ndërsa gjatë 3-mujorëve të vitit aktual ky tregues ka ardhur në rritje dhe këtë 3-mujor është rritur me 0.2 pikë përqindje, duke arritur mesatarisht në nivelin 17.5 për qind.

20 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›