E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Shkodrës drejt përfundimit të hetimit të zgjedhjeve



Prokuroria e Shkodrës po shkon drejt përfundimit të hetimit për tri kutitë e votimit për të cilat ka bërë padi Partia Demokristiane, që pretendon se janë bërë manipulime të atilla që i kanë hequr kësaj partie një mandat deputeti. Burime informacioni bënë të ditur dje për gazetën se Prokuroria e rrethit të Shkodrës që prej muajit dhjetor të vitit 2009 ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor kasetat filmike së bashku me procesverbalet e KZAZ-ve. Mësohet se në rast se kjo prokurori nuk do të ketë presion politik, do të kërkojë hapjen e këtyre tri kutive për të bërë verifikimet e duhura si në rastin e komunës Ruzhdie. Duket se hetimi i bërë në rastin e Ruzhdies ka thyer “akullin” dhe për qytetet e tjera për të kryer hetimin e procesit zgjedhor. Edhe në Shkodër, ndonëse nuk janë hapur kutitë, po bëhet një verifikim nga Prokuroria e këtij rrethi përsa u përket qendrave të votimit për të cilat ka ngritur padi Partia Demokristiane.
Padia
Kjo parti ngriti grupe të posaçme, të cilat bënë krahasimin e pamjeve filmike të fletëve të votimit me procesverbalet e firmosura nga komisionerët. Nga ky krahasim u konstatua se në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në qarkun e Shkodrës janë manipuluar rreth 12 500 vota. Kjo sasi votash ka qenë tepër përcaktuese për më shumë se një mandat deputeti.
Partia Demokristiane ka arritur të provojë manipulimet në të paktën katër qendra votimi në qarkun e Shkodrës. Sipas verifikimeve të bëra rezulton se në këto katër qendra votimi janë manipuluar 1600 vota. Por ky fakt është vetëm “maja e ajsbergut”. Krahasimi i pamjeve filmike që përmbajnë të regjistruar secilën prej votave me rezultatin e shpallur ka nxjerrë në pah një shifër vërtet të madhe të votave të manipuluara: rreth 12 500 të tilla. Nga këto vota janë privuar kryesisht Partia Demokristiane, LSI-ja dhe Partia Socialiste. Partia Demokristiane disponon provat për katër qendra votimit të manipuluara, të cilat i ka depozituar prej kohësh pranë Prokurorisë. PDK-ja gjithashtu ka kërkuar ndjekjen penale për 12 komisionerët e KZAZ-së në qarkun e Shkodrës.
Votat e shtuara
Nëse merret mesatarja e manipulimit në favor të PD-së në KZAZ-në Nr. 40, që i përket qytetit të Shkodrës dhe që është KZAZ-ja më pak e manipuluar, rezulton që PD-ja të ketë shtuar në gjithë qarkun e Shkodrës rreth 9 mijë vota në favor të saj, pra një mandat deputeti. Nëse marrim KZAZ të tjera, si ajo me numër 42, që i përket periferisë apo zonës së Pukës dhe e konsiderojmë si mesatare, atëherë shifra mund të jetë mbi 12 mijë vota.
Në Qendrën e Votimit Nr. 0255 në Shkodër, sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD-ja ka marrë 327 vota, kurse sipas rinumërimit që u bë nga kamera, ajo rezulton se ka marrë 273 vota, pra ka një shtesë prej 54 votash në favor të PD-së. Nëse këto shifra merren si maksimumi i manipulimit, atëherë i bie që Partia Demokratike në Shkodër, nëse ka shtuar nga 54 fletë në çdo qendër, mund të ketë shtuar teorikisht rreth 20 mijë vota. Por, nga llogaritë për gjithë KZAZ-të, del se mesatarisht PD-ja ka shtuar rreth 25 vota për qendër votimi, çka e çon në gati 9 mijë vota të vjedhura prej saj në një qark, shifër kjo e mjaftueshme për t’i hequr PD-së një deputet. Eksperti Julian Mema, që ka hetuar CD-në e KZAZ-së Nr. 40 në Shkodër, i shpjegon problemet që ka hasur. Sipas tij, problemi i parë është gjendja pa inventar e filmimit. Në regjistrim mungon numri i qendrës së votimit kur hapet kutia dhe ekspertëve u është dashur ta hetojnë atë nga vula e komisionerit pas fletës së votimit.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›