E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanksionet që parashikon Kodi Zgjedhor për manipulimin e zgjedhjeve



Në bazë të Kodit Zgjedhor, anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe nëpunësit e administratës publike në shërbim të këtyre komisioneve mbajnë përgjegjësi penale dhe administrative sipas legjislacionit në fuqi për shkeljen e dispozitave të këtij kodi.
Votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj. Braktisja e detyrës, pa shkaqe të ligjshme, nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, anëtarët e grupeve të numërimit apo vëzhguesit përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga 6 muaj deri në 2 vjet. Shkelja e dispozitave të Kodit nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve ose nga persona të ngarkuar me detyra, sipas Kodit, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë nga 3 000 deri në 90 000 lekë. Shkeljet e tjera të dispozitave të këtij Kodi, kur nuk përbëjnë vepër penale, dënohen me gjobë nga 1 000 deri në 2 500 lekë. Shkelja e rregullave të përcaktuara në nenet 34 dhe 41 të Kodit Zgjedhor, përkatësisht nga sekretari i KZAZ-së ose KQV-së, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 60 000 lekë ose me burgim deri në 6 muaj. Personat e ngarkuar nga ky ligj, me përgatitjen dhe miratimin e listave të zgjedhësve, kur përfshijnë në këto lista të dhëna të rreme ose kur lënë pa përfshirë zgjedhës, përgjigjen penalisht në bazë të nenit 186 të Kodit Penal.
Shkelja e rregullave të tjera dhe afateve të parashikuara në pjesën II të këtij kodi, kur nuk përbën shpërdorim të detyrës, sipas nenit 248 të Kodit Penal, dënohet me gjobë nga 10 000 deri në 100 000 lekë. Gjoba vendoset nga titullari i institucionit, përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyra përkatëse e financës. Shkelja e ndonjërit nga parimet e përgjithshme të përcaktuara në nenet 3, 4 ose 5 të Kodit, në rastet kur kjo shkelje nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 500 000 lekë. Masa e gjobës përcaktohet në varësi nga rrethanat e mëposhtme: rreziku që formon shkelja për zhvillimin dhe administrimin e zgjedhjeve në të ardhmen; fakti nëse autori i shkeljes ka përfituar nga shkelja materialisht ose nëpërmjet shkeljes ka ndikuar në marrjen e mandatit nga kandidati, partia politike apo koalicioni; kohëzgjatja dhe rrethi i veprimeve që kanë çuar në kryerjen e shkeljes; fakti nëse ka pasur përpjekje për fshehjen e shkeljes dhe në ç’shkallë kanë qenë ato; qëndrimi i autorit të shkeljes pas zbulimit të saj; fakti nëse në kryerjen e shkeljes kanë marrë pjesë persona zyrtarë ose janë shfrytëzuar burime publike; fakti nëse shkelja është përsëritur; fakti nëse është kryer në bashkëpunim; rreziku potencial ndaj zgjedhjeve të lira, të drejta, demokratike dhe transparente.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›