E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, shqiptarët do të refuzojnë vendimet e qeverisë

Këtë alarm e kanë dhënë intelektualët, të cilët nuk e shohin në binarët e duhur politikën aktuale që udhëhiqet si për interesat shtetërore, por edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Unë shpresoj që një ditë do të përfundojë durimi i shqiptarëve edhe qëllimi i tyre që të rrojnë në një qetësi për kauza më të rëndësishme, për synime integruese do të t’i jepet fund këtij durimi. Mendoj se do të ketë pëdëgjueshmëri ose refuzim të vendimeve të qeverisë, ngjashëm siç ishte edhe refuzimi i maqedonishtes që nga klasa e parë”, tha akademik Ali Aliu.

Sipas tij, ky reagim refuzues i shqiptarëve do të jetë më unik dhe do të forcohet edhe më tutje, nëse vazhdohet me provokime të tilla kundër shqiptarëve. “Gjithsesi se shqiptarët do të vetëdijesohen se politika e Gruevskit është haptazi antishqiptare”, tha Aliu.

Për profesorin universitar Lubomir Fërçkovski përveç keqësimit të marrëdhënieve ndëretnike, problem është edhe defokusimi nga zgjidhja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. “Vendimin kryesor që ai duhet ta ndërmarrë është kur do të tentojë të ndërtojë një shtet tjetër. Kur ne nuk jemi në NATO ne do të thotë jemi një shtet tjetër. Kjo është një lojë shumë e rrezikshme”, tha Fërçovski.

Ai pohon se humbës më i madh përveç shtetit është edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. “Ai viktimizohet së tepërmi dhe është jo shumë i përgjegjshëm në këtë aspekt. Merr tepër obligime mbi veten. Mendoj se kjo politikë do të harxhohet deri në qershor kur patjetër duhet të kemi zgjidhje për emrin”, tha ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Analisti dhe publicisti Kim Mehmeti, pohon se politika e Gruevskit vazhdon të çojë drejt një ndarje të Maqedonisë. “Nëse forcat politike maqedonase që sot udhëheqin vendosin ta ndajnë Maqedoninë, shqiptarët s’mund ta mbrojnë atë. Ata duhet të jenë aq të pjekur sa që ta shohin se cili është koncepti i atyre, kurse ajo që shihet më shumë flet për ndarje se sa për një bashkëjetesë”, tha Mehmeti. Sipas tij, nëse vjen deri te ndarja e Shkupit kjo përfundimisht thotë ndarje edhe të Maqedonisë. /lajm/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›