E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama: "Durrës-Kukës"? Vendim i formës së prerë

Prokurorja e Përgjithshme,
Ina Rama, e konsideron
të mbyllur çështjen penale
në ngarkim të deputetit
Lulzim Basha, që ishte hapur
nga organi që ajo drejton, pas
vendimit që mori Gjykata e Lartë.
Ajo theksoi se vendimi i Gjykatës
Supreme në Shqipëri për hetimet
që lidhen me segmentin rrugor
Rrëshen-Kalimash konsiderohet
një vendim i formës së prerë.
Megjithëse dosja është mbyllur
vetëm me procedura, numri një
i akuzës shqiptare nuk ka bërë
asnjë detaj se çfarë masash do
të marrë ndaj përgjegjësve të
dështimit. Ndërkohë, gazeta
kontaktoi me zyrtarë të tjerë të
akuzës qendrore, të cilët e interpretojnë
deklaratën e Ramës
se provat që ndodhen në këtë
dosje nuk mund të përdoren në
asnjë dosje tjetër për abuzimet
e pretenduara të rrugës Durrës-
Kukës. Ata pohojnë se qëndrimi
zyrtar i akuzës shqiptare për këtë
proces do të merret vetëm pas
shpalljes së vendimit të Gjykatës
së Lartë, i cili është i zbatueshëm,
pasi është i formës së prerë. Ajo
çka mendohet në zyrat e akuzës
qendrore është një rihetim i
mundshëm nga njësia Task-Forcë
në Prokurorinë e Tiranës dhe
dosja do të regjistrohet pa emër.
Më pas, duke u bazuar te provat,
mund të arrihet që përgjegjësit të
vihen para përgjegjësisë penale.
Por edhe në këtë rast, prokuroria
do të ketë një barrierë të fortë për
hetimin e pushtetarëve me imunitet,
pasi do t‘i duhej të merrte
leje nga Kuvendi i Shqipërisë.
Në këtë rast, Kryeprokurores do
t‘i duhej të përballej me sulmet
politike, të cilat mund të agravoheshin
në prag të fushatës
elektorale. E gjithë kjo përkthehet
se para zgjedhjeve parlamentare
organi i prokurorisë nuk do të
hapë asnjë hetim të ri për dosjen
"Durrës-Kukës", megjithëse
abuzimi 230 milionë euro është
mbyllur vetëm me procedura.
"Rrëfimet"
para diplomatëve
Drejtësia shqiptare ka "rrëfyer"
dje para diplomatëve problemet
me politikën. E ftuar
në këtë takim ka qenë edhe
Kryeprokurorja Ina Rama, e
cila para përfaqësuesve të 27
vendeve anëtare të Bashkimit
Evropian ka pranuar të tregojë
punën e institucionit që drejton
ndaj njerëzve me pushtet. Pyetjet
kanë qenë të drejtpërdrejta nga
diplomatët, të cilat janë munduar
"të vjelin" prej prokurores
fakte nëse ka pasur ndërhyrje të
politikës në hetimet për dosjen
e Gërdecit, apo dhe për dosjen
"Durrës-Kukës". Sipas organizatorëve
të takimit, që u mbajt në
"Hotel Tirana", përfaqësuesit e
27 vendeve anëtare të Bashkimit
Evropian, nën kryesimin e ambasadës
çeke si kryesuese e radhës
e Bashkimit Evropian, kishin si
"detyrë" marrjen në "provim" të
drejtësinë shqiptare, për të testuar
përparimin e reformave dhe
respektimin e pavarësisë, në kuadër
të plotësimit të kushteve pas
nënshkrimit të Marrëveshjes së
Stabilizim-Asocimit dhe në prag
të përgatitjes së progres-raportit
të ri. Krahas Kryeprokurores Ina
Rama, nënkryetari i Këshillit të
Lartë të Drejtësisë dhe zëvendësministri
i Drejtësisë u ulën
përballë diplomatëve evropianë
dhe iu përgjigjën për më shumë
se dy orë pyetjeve të tyre lidhur
me hartimin e disa ligjeve shumë
të rëndësishme, reformat,
buxhetin, pavarësinë dhe madje
edhe hetimin e disa çështjeve
konkrete. Sipas burimeve jozyrtare
mësohet se Prokurorja e
Përgjithshme ka ritheksuar para
diplomatëve evropianë faktin se
institucioni i prokurorisë është
gjendur vazhdimisht në presionin
e politikës dhe qeverisë, si
pasojë e çështjeve që janë vënë
nën hetim, por edhe nën presionin
e publikut, i cili sipas saj
ka pritur rezultate konkrete për
luftën ndaj korrupsionit. Ata kanë
kërkuar të mësojnë konkretisht
edhe për hetimet dhe presionet e
mundshme ndaj prokurorisë për
çështjen e Gërdecit.
Drejtësia
përballë politikës
Jo pa qëllim vendet anëtare
të Bashkimit Evropian kanë improvizuar
një seancë dëgjimore
me institucionin e Prokurorisë,
Ministrinë e Drejtësisë dhe me
Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Shpesh herë këto institucione
kanë replikuar ashpër me njëratjetrën
për disa ligje të veçanta.
Madje, sulmet kanë qenë institucionale,
fillimisht midis KLD-së
dhe Ministrisë së Drejtësisë, në
lidhje me ligjet e pushtetit gjyqësor
dhe më pas midis Prokurorisë
së Përgjithshme dhe Ministrisë
së Drejtësisë për ligjin "Për Prokurorinë",
ku pas ndërhyrjeve
të ndërkombëtarëve, u gjet një
zgjidhje e mesme. Burime brenda
takimit thanë se interesimi i
diplomatëve evropianë ka qenë
i gjerë, duke përfshirë miratimin
e ligjit për Prokurorinë, imunitetin
e prokurorëve, e deri te
pagat e gjykatësve. Nënkryetari
i Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
Kreshnik Spahiu, nuk dha detaje
për këtë takim, por theksoi se
secila palë ka bërë raportin e saj.
"Na u desh të ballafaqohemi me
pyetje të ndryshme të diplomatëve.
Diplomatët jo vetëm që
ishin familjarë, po ishin shumë
të interesuar për çështjet", u
shpreh Spahiu. Duke qenë një
takim faktmbledhës, për llogari
të progres-raportit, asnjëri prej
institucioneve nuk raportoi zyrtarisht
mbi faktet që u hodhën aty
dhe detaje të bisedimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›