Prokuroria emerime klienteliste

Prokurori i rrethit gjyqësor të Durrësit, Dritan Gina ka paditur në gjykatë kreyprokuroren Ina Rama dhe mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve ku u zgjodhën anëtarë të këshillit të prokurorëve u zgjodhën tre drejtuesit e prokurorive Tiranë, Sokol Malaj, Durrës Altin Binaj, Fier, Besnik Cani. Prokurori Dritan Gina akuzon Ina Ramën se ka ndikuar në marrjen e vendimit të paligjshëm të mbledhjes së prokurorëve dhe për zgjedhjen e anëtarëve të këshillit të prokurorëve që ajo preferonte.
Prokurori Gina i është drejtuar gjykatës pasi pretendon së i është mohuar e drejta e një procesi të regullt ligjor. Prokurori i Durrësit akuzon kryeprokuroren se mbledhja ka qenë një farsë dhe një procesi i parregullt ligjor. Sipas Ginës, Ina Rama u ka mohuar të drejtën për të kandiduar dhe se ka ndërhyrë në pranimin e kandidaturavë për anëtar të këshillit të prokurorisë, madje ka debatuar ashpër me prokurorët që kanë qenë kundër saj duke ushtruar presion ndaj tyre. Në kërkesë padi prokurori argumenton se e gjithë procedura që nga thirrja e mbledhjes, kandidaturat e përzgjedhura dhe të lejuara, procedura e votimit dhe ajo e zgjedhjes së anëtarëve të rinj ishin në kundërshtim me ligjin. Gina arsyeton se Ina Rama në kundërshtim flagrant me ligjin e ka thirrur mbledhjen e prokurorëve një vit me vonesë. Ina Rama ka lejuar me vetëdije që për një vit një Këshill pa mandate të japë mendime, sugjerime e këshillime për masa disiplinore, transferimet dhe emërimet e prokurorëve. Një tjetër shkelje e kreut të akuzës është se njoftimi i prokurorëve për mbledhjen vetëm 4 ditë para mbledhjes duke përfshirë ditën e shtunë kur është bërë edhe njoftimi, duke rënë në kundërshtim me Kushtetutën. Kjo e fundit sanksionon se njoftimi duhet bërë të paktën 8 ditë para procesit të vendimarrjes. Në kërkesë padi shkruhet se në bazë të ligjit për organizimin dhe funskionimin e prokurorisë të qenit njëkohësisht drejtues të prokurorive dhe anëtar të këshillit të prokurorëv përbën konflikt të hapur interesi ndërmjet ushtrimit të detyrës dhe interesave private. Sipas Dritan Ginës të zgjedhurit e Ina Ramës nuk do të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të pavarur por do të veprojnë në mënyrë të tillë që do të mbrojnë interesat e tyre private duke ndjekur frymen dhe linjen e kreut të organit të akuzës përsa kohë që Ina Rama i ka emëruar si drejtues dhe mund t’i shkarkojë në çdo kohë. Prokurori i Durrësit Dritan Gina i ka kërkuar gjykatës anullimin e pjesshëm të vendimit të marrë nga mbledhja e prokurorëve për zgjedhjen e këshillit të prokurorëve dhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të gjykimit.