E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria "frikësohet" nga Alibeaj, pranon të kontrollohet nga ministria

Prokuroria pranon të kontrollo
het në funksion të raportimit
të ministrit të Drejtësisë çdo 6
muaj në Kuvend, ndërsa vlerëson
lëshimet e "Alibeajt" për mos shkarkimin
e Prokurorit të Përgjithshëm
edhe nëse ndaj tij mund të fillojë
procedimi penal. Deklarata "triumfuese"
e ministrit të Drejtësisë, dy
ditë më parë, gjatë një konference të
përbashkët shtypi me shefin e misionit
evropian në Shqipëri, Helmut
Lohan, ka "frikësuar" zyrtarët e
akuzës qendrore, të cilët i kanë hapur
"rrugën" ministrit të dërgojë projektligjin
për miratim në qeveri. Madje,
burimet nga Prokuroria e Përgjithshme
thanë dje se mund të lëshojnë
"pe" edhe për imunitetin, një nen
shumë i diskutuar më parë,
megjithëse pretendojnë se edhe
Ministria e Drejtësisë ka bërë lëshime
për çështjen e fillimit të procedimit
penal ndaj Prokurorit të Përgjithshëm
dhe prokurorëve të thjeshtë.
"Lutjet" e zyrtarëve të prokurorisë për
Alibeajn vijojnë se janë të hapur të
negociojnë për kontrollin dhe imunitetin,
nëse një gjë e tillë kërkohet nga
ana e komisionit të punës në Ministrinë
e Drejtësisë. Duket se një gjë
është arritur nga prokurorët: të mos
shkarkohen nga detyra, megjithëse
ndaj tyre mund të jetë regjistruar
procedimi penal.
Vlerësojmë konsensusin
Prokurorët kanë harruar të gjithë
"luftën" me Ministrinë e Drejtësisë
dhe dje e kanë "qepur gojën", duke
hedhur hije dyshimi se kanë marrë
"urdhër nga lart". Disa ditë më parë
ishin po këta përfaqësues të akuzës,
që bënin publike me të madhe se po
cenohet pavarësia e sistemit të
prokurorisë si dhe në projektligj ka
disa nene, ku lejohet që prokurori të
shkarkohet e të tjera diskutime. Por,
siç duket, "urdhri" ka qenë i prerë:
"Paqe" me Ministrinë e Drejtësisë.
Madje, kjo e fundit, siç mësohet nga
burime nga Prokuroria e Tiranës, nuk
ka zhvilluar asnjë kontroll në regjistrin
penal, megjithëse prokuroria
miratoi kërkesën e tyre. Burime nga
Prokuroria e Përgjithshme thanë dje
se vlerësojnë konsensusin e arritur
deri më tani për heqjen dhe ndryshimin
e pesë dispozitave që ndodheshin
në versionin e parë të draftit
në shtator 2008. Konkretisht, heqja e
parashikimit për shkarkimin e
Prokurorit të Përgjithshëm në rast të
fillimit të procedimit ndaj tij nga
prokuroria e rretheve; heqja e pezullimit
nga detyra të prokurorëve në
rast se ndaj tyre paraqitet kallëzim
penal, (është sanksionuar se do pezullohen
vetëm në rast se regjistrohet
procedim penal ndaj tyre); zgjerimi
i Këshillit të Prokurorisë me nëntë
anëtarë dhe heqja e parashikimit për
detyrimin e replikës nga Prokurori i
Përgjithshëm me ministrin e Drejtësisë
pas raporteve që ky mund të
paraqesë në Kuvend, lidhur me kontrollet
në prokurori.
Presim kërkesat
Tonet e zbutura të përfaqësuesve
të akuzës vijojnë se: Prokuroria
është në pritje të kërkesës nga
komisioni i draftimit për të dhënë
komentet e fundit mbi dispozitat e
diskutueshme, që lidhen me imunitetin,
konfliktin e interesit të
Prokurorit të Përgjithshëm dhe të
drejtën e kthimit në punë të
prokurorëve, në rast se shkarkimi i
tyre cilësohet i pabazuar në ligj nga
gjykatat. Duket se deklaratat janë
një hap pas i organit të akuzës, i cili
në vetvete është i bindur se e ka fituar
"betejën" me qeverinë. Një ndër
to është edhe kallëzimi i "rremë" i
Ministrisë së Brendshme për dy
prokurorët që urdhëruar ndalimin
e biznesmenit Damir Fazliç. Deri
dje, sipas informacioneve nga zyra
e regjistrit në Prokurorinë e Tiranës,
nuk është regjistruar asnjë kallëzim
nga Ministria e Brendshme për dy
prokurorët, Zamir Shtylla dhe Elio
Mazreku. Duket se "tymnaja" e
ministrisë ishte për të trembur organin
e akuzës në disa çështje.
Edhe në këtë rast, direktivat nga
"lart" kanë funksionuar, duke sheshuar
një mal me akuza dhe kundërakuza.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›