Topalli takon ambasadorin e Vatikanit: Kemi bashkëjetesë fetare
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një takim me Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, përfaqësues i Selisë së Shenjtë në Shqipëri. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Imzot Ramiro Moliner Ingles tha se "për Selinë e Shenjtë, nuk ka asnjë dyshim se Evropa ka nevojë për Shqipërinë, sepse Shqipëria është pjesë e Evropës. Do të keni, si gjithmonë, të gjithë mbështetjen tonë gjatë rrugës suaj". Duke u ndalur në modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi atë një aset të çmuar. "Modeli i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në Shqipëri është jo vetëm unik, por është një tregues i qytetërimit dhe pjekurisë së kombit tonë. Kjo vlerë e shtuar në imazhin e Shqipërisë përbën një shembull të rrallë në Evropë e në botë", tha Topalli. Duke ndarë të njëjtin mendim me Kryetaren e Kuvendit, Imzot Ramiro Moliner Ingles, theksoi se:
"Harmonia fetare në Shqipëri më ka bërë një përshtypje të veçantë. Unë jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin ndërfetar që po shoh në vendin tuaj dhe kjo është vërtet një vlerë e madhe, shenjë e civilizimit". Ai i përcolli Kryetares së Kuvendit mesazhin dhe urimin nga Papa Benedikti XVI, drejtuar popullit shqiptar për më shumë shpresë, harmoni dhe paqe.