E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria gati riekspertimin e makinës së djegur të Mero Bazes

07/01/2009  Policia ka nxjerrë si shkak shkëndijën në bateri, akuza nuk i beson

TIRANE- Makina tip BMW e gazetarit Mero Baze, do t’i nënshtrohet një riekspertimi tjetër, i cili nuk do të kryhet nga ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por nga specialistët e organit të akuzës kryeqytetase. Ky vendim është marrë nga prokurori i çështjes, i cili ditën e djeshme mori nga policia dosjen me të gjitha aktet dhe ekspertizat hetimore së bashku. Hetuesit që po hetojnë djegien e makinës së Mero Bazes thanë se dosja e policisë përmban një ekspertizë që tregon se shkaktari kryesor i rënies së zjarrit, ka qenë një shkëndije elektrike. Mirëpo për të zbardhur dhe provuar këtë version të policisë, Prokuroria e Tiranës do të kryejë në makinën e shkrumbuar edhe dy analiza të tjera. Nga burimet mësohet se njëra prej këtyre analizave, do të nxjerrë shkaqet që kanë sjellë rënien e zjarrit, të cilat mund të jenë rrjedhja e gazit, hedhja e qëllimshme e benzinës apo lëndëve të tjera djegëse. Nga ana e saj policia vijon të mbrojë tezën e shkëndijës elektrike. Ndërsa ekspertiza tjetër që pritet të kryhet do të mundësojë identifikimin e vatrës fillestare të rënies së zjarrit. Kjo ekspertizë sipas hetuesve do të tregojë përqindjen e djegies së pjesëve të makinës, dhe nga konkluzionet e nxjerra pritet të konstatohet vendi fillestar ku ka rënë zjarri. Makina e drejtorit të gazetës “Tema”, shpërtheu rreth orës 03:00 të mesnatës duke u gdhirë data 31 dhjetor pas një zjarri që shpërtheu fillimisht në pjesën e pasme të saj. Automjeti kishte rreth 4 orë e gjysmë që ishte i parkuar para pallatit ku Baze banon prej dhjetë vitesh. Forcat e policisë mbërritën në vendngjarje pak pas shpërthimit së bashku me zjarrfikësen, e cila sipas gazetarit Baze në mënyrë paradoksale arriti në vendngjarje pa rezerva ujore. Paniku mbërtheu edhe tek banorët e pallatit, pasi zjarri mund të depërtonte tek makinat e tjera të parkuara. Pas flakëve që përfshinë më parë makinën, automjeti i Bazes, një BMW 530, me benzinë shpërtheu pas 20 minutash dhe u dogj plotësisht. Mësohet se ngjarjen e pikasi fillimisht i biri i tij 15-vjeçar, i cili ishte ende zgjuar kur dëgjoi alarmin e makinës. Pasi u zgjua nga gjumi prej djalit të tij, i cili e lajmëroi se makina kishte marrë flakë, Mero Baze lajmëroi autoritet e policisë, të cilat e këshilluan të mos i afrohej vendit të ngjarjes. Pasi mbërriti në vendngjarje policia dokumentoi vendin e krimit dhe mori dëshmitë e Bazes si dhe djalit të tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›