E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjenca e kardiologjisë pa ngrohje

07/01/2009  Shtohet ndjeshëm fluksi i të sëmurëve

Vështirësitë me të cilat po përballen të sëmurët në urgjencën e kardiologjisë duket se nuk kanë fund. Shkak për këtë është bërë jo vetëm shtimi i fluksit të komplikacioneve të shfaqura gjatë këtyre ditëve te këta pacientë si pasojë e temperaturave, por dhe mungesa e sistemit të ngrohjes. Këto ditë të ftohta janari urgjenca e kardiologjisë në klinikën e sëmundjeve të brendshme në QSUT është mbipopulluar prej të sëmurëve me zemër, kryesisht të moshuar, të cilët detyrohen të qëndrojnë gjatë në urgjencë. Sipas mjekëve të shërbimit, ky pavijon me nisjen e vitit të ri duhej të siguronte shtretërit për trajtimin mjekësor të pacientëve si dhe rregullimin e sistemit të ngrohjes, gjë që nuk ka ndodhur. Ndërkohë që kësaj situate i shtohen dhe ata pacientë me zemër të sapo operuar, të cilët gjenden të shtruar në pavijonin e kardiokirurgjisë, duke vuajtur mungesën jetike të spitalit. Ashtu si dhe vitet e shkuara, e vetmja zgjidhje për pacientët mbetet sigurimi në mënyrë private i ngrohjes, ndërkohë që spitali përballet me problemet e trashëguara prej vitesh. Pavarësisht faktit që janari i këtij viti i ka gjetur spitalet të përfshira në skemën e sigurimeve shëndetësore, mjekët pohojnë se do të duhet ende kohë që gjendja të përmirësohet dhe të ofrohen shërbime cilësore për pacientët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›