E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria heton pasuritë e 300 "të fortëve"

Në hetim janë pasuritë e personave që janë dyshuar për vepra penale por që nuk është mundur të provohet fajësia


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar verifikimin e pasurisë mbi bazën e ligjit "Antimafia" për 300 procedime penale të hetuara pas vitit 2007.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët sqaruan se ka filluar hetimi pasuror për të gjithë ata persona që janë proceduar penalisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda këto tre vitet e fundit. Bëhet fjalë për hetimin e 300 njerëzve, të cilët edhe pse janë proceduar nga organi i akuzës, nuk ka pasur prova për t'i dërguar në gjykatë e dënuar për krime.

"Prokuroria e Krimeve të Rënda, konkretisht seksioni i Sekuestrimit dhe Konfiskimit të Aseteve Kriminale, ka filluar shqyrtimin penal të hetimit pasuror, mbi bazë të ligjit "Antimafia", të të gjitha dosjeve penale të regjistruara pranë këtij institucioni pas vitit 2007.


Dosjet të cilat po i nënshtrohen këtij hetimi pasuror, janë të gjitha ato çështje ku personat e hetuar apo gjykuar për veprat penale të trafiqeve të ndryshme",- thuhet nga prokuroria. Ndërkohë, mësohet se janë përjashtuar nga hetimi të gjitha ato dosje apo persona, pasuritë e të cilëve i janë nënshtruar një procesi gjyqësor, pavarësisht se çfarë vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe Apelit.


"Përjashtim përbëjnë vetëm rastet, kur mbi një objekt, automjet apo llogari bankare që është vendosur njëherë masa e sekuestro dhe ndaj tyre është zhvilluar një proces gjyqësor",- thuhet nga burime e Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu këto burime saktësuan se deri më tani janë marrë në shqyrtim të hetimit pasuror rreth 300 procedime penale.


Mes këtyre dosjeve që po hetohen, janë në shqyrtim edhe ata persona për të cilët nuk është arritur të sigurohen prova materiale për implikimin e tyre në trafiqe të ndryshme, si ato të drogës, armëve apo femrave.
"Edhe personat, ndaj të cilëve nuk ka një procedim gjyqësor i janë nënshtruar këtij hetimi pasuror.


Pasi, organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme për ta dërguar atë në Gjykatë si të pandehur në përfshirjen në një rrjet të caktuar të trafikut të drogës, armëve apo femrave, por nga ana tjetër janë ngritur dyshime se pasuria e regjistruar në emër të tij apo pjesëtarëve të ngushtë të familjes nuk përputhet me të ardhurat që ata persona kanë",- thuhet nga burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Gjithashtu, këto burime konfirmuan se dosjet që ndodhen në shqyrtim penal të hetimit pasuror, janë ata dosje që janë regjistruar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda nga janari i 2007 e në vazhdim. "Këto dosje tashmë po verifikohen nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, mbi bazën e një urdhri të brendshëm të lëshuar nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama",- thuhet nga burimet.


Sipas tyre, nëse arrihet të provohet mos përputhja e pasurisë me të ardhurat që personat e dyshuar si të implikuar në një trafik të mundshëm, ato prona do t'i nënshtrohen një hetimi gjyqësore për sekuestrimin e tyre dhe më pas në një fazë të dytë për konfiskimin e tyre mbi bazën e "Ligjit për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar" i njohur ndryshe edhe si ligji "Antimafia", të dekretuar kohë më parë nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.


Burimet saktësuan se hetimit pasuror do t'i nënshtrohet në Prokuroritë e Rretheve edhe ato dosje apo persona që hetohen për "kontrabandë me mallra të tjerë" nga njësitë e task-forcave të ngritura në rrethe të vendit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›