Prokuroria i jep lirinë Paro Laçit: U arrestova në mënyrë të paligjshme
Gjykata e Tiranës i ka dhënë sërish lirinë Paro Laçit. Aksioneri i Partizanit, i shkarkuar të enjten nga posti i administratorit nga Albert Xhani ka lënë qelitë e paraburgimit në Komisariatin Nr. 2 të kryeqytetit. Pak pas mesditës së djeshme, Laçi u lirua pa kushte, ndërsa nuk ngurroi të akuzonte drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj, për arrestim të paligjshëm. Në daljen përpara mediave, zyrtari i klubit të kuq tregoi shenja të qarta lodhjeje, edhe sepse arrestimi i tij prej 48 orësh është shoqëruar nga greva e vazhdueshme në ambientet e komisariatit. “Jam shumë i lodhur, sepse bëra edhe grevë në qeli dhe kam pasur nevojë të vazhdueshme për ndihmën e mjekëve. Falënderoj stafin e shoqërimit, që thirrën mjekun kur kisha nevojë”, deklaroi ai. “Kam kaluar dy ditë në arrest të paligjshëm dhe ky ishte edhe vendimi i Gjykatës së Tiranës. Policia ka shkelur ligjin me këtë veprim dhe iniciator ka qenë vetë drejtori i policisë në kryeqytet, Tonin Vocaj. Unë vazhdoj të këmbëngul se ka disa njerëz në strukturat shtetërore që duan të gropisin Partizanin dhe ndalimi im është bërë në këtë linjë. Me Vocajn kam pasur edhe përplasje gjatë ndeshjes me Elbasanin, pasi ai veproi sipas tekave të tij, duke mos zbatuar ligjin. Për shkeljen e ligjit ministri i Rendit dhe strukturat përkatëse duhet ta largojnë nga detyra këtë person. Më e mira do të ishte që ai të jepte dorëheqjen, në të kundërt do të jenë tifozët e Partizanit ata që do ta kërkojnë me forcë këtë. Këto ngjarje nuk na pengojnë në punën tonë për të rikthyer skuadrën e Partizanit në Superiore”. Laçi akuzohej për pengmarrjen e futbollistit, Sokol Ishka, dhe për dhunim fizik ndaj 31-vjeçarit.
#