E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia dhuratë jashtë fushe Skënderbeut

Tirana përfiton nga humbja e Besës dhe ngjitet në vendin e dytë. Apolonia, Flamurtari e Teuta arrijnë fitore shpresëdhënëse Shkodranët fitojnë 3-2, por një gabim i qëllimshëm do ti japë fitoren në tavolinë korçarëve

Një gafë e qëllimshme do t’i kushtojë Vllaznisë fitoren me Skënderbeun. Skuadra e drejtuar nga Edi Martini mposhti në fushën e lojës korçarët me rezultatin 3-2, por një “gabim” i paramenduar në protokollin e ndeshjes pritet ta ndryshojë situatën në favor të korçarëve. Përgjegjësia bie mbi drejtuesit dhe stafin teknik të shkodranëve, që në listën me futbollistët e gatshëm për ndeshjen e djeshme në “Loro Boriçi” kishin shkruar emrin e sulmuesit Bekim Bala (që ndodhet në Francë për t’u provuar te PSG), ndërsa në të vërtetë në lojë u aktivizua i riu Ansi Nika. Emri i mesfushorit me tipare sulmuese, si edhe numri 13 që ai mbante në fanellë, nuk kanë ekzistuar në protokoll, një parregullsi e cila ndëshkohet me humbjen në tavolinë. Kjo ishte gjetja më e fundit shqiptare: fitore në fushë për të mos zhgënjyer publikun (e pakët) dhe tolerim jashtë katërkëndëshit të gjelbër, me një gjoja gabim teknik. Që prej fillimit të javës, në kryeqendrën e veriut nuk kanë munguar zërat se kuqeblutë do t’ia dhuronin tri pikët kundërshtarëve. Por, për të mos e bërë “dhuratën” në mënyrë të hapur, krerët në “Loro Boriçi” zgjodhën një mënyrë origjinale, për ta justifikuar si një gabim që mund të ndodhë. “Skenari” i krijuar për t’i dhënë fitoren Skënderbeut ka shkaktuar edhe mjaft pakënaqësi brenda skuadrës, pasi mësohet se lojtarët nuk kanë qenë në dijeni të intrigës. Vetëm kur ndodheshin në dhomat e zhveshjes, futbollistët kanë mësuar se emri i Nikës nuk figuronte në protokoll dhe aktivizimi i tij si zëvendësues cilësohet i parregullt: një shkelje që u jep kundërshtarëve tri pikët në tavolinë. çështja tashmë do të shqyrtohet nga komisionet e FSHF-së, të cilat kanë edhe fjalën e fundit. Për sa i takon ecurisë së ndeshjes, shkodranët shënuan me Alikajn dhe dy herë me Rajoviç, që nuk gaboi nga pika e 11-metrave, ndërsa golat për të besuarit e Mirel Josës u shënuan nga Malindi dhe Asllani.

Në ndeshjet e tjera të javës së 28-të, Tirana regjistron një fitore të rëndësishme në fushën e Shkumbinit. Në Peqin sfida është vendosur nga goli i kapitenit Devis Mukaj në të 15-tën, ndërsa me këtë 3-pikësh, bardheblutë ngjiten në vendin e dytë. Skuadra e Starovës përfitoi nga humbja 3-2 e Besës në fushën e Teutës. Dygolëshi i Hodos dhe rrjeta e Hysës kanë bërë të pavlefshëm golat e kavajasve me Shtinin dhe Daniel Xhafajn dhe rrisin shpresat e durrsakëve për mbijetesë. Në anën tjetër, me vëmendjen vetëm te finalja e Kupës dhe ecurinë e dobët në kampionat, Besa rrezikon të rrëshqasë edhe më poshtë në klasifikim. Dinamo i lejon vetes luksin e një tjetër humbjeje, kësaj here në fushën e Apolonisë. Mlladen Brkiç me dy gola vulosi humbjen e tretë radhazi të bluve. Flamurtari, falë super Memellit shkatërron 3-0 Kastriotin dhe ngjitet në vendin e gjashtë. Tri pikë të lehta arrin edhe Laçi kundër Gramozit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›