Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, qeveria kryen ndryshime por nuk ul vlerën
Qeveria ka vendosur që të realizojë disa ndryshime në ligjin shumë të diskutuar nga biznesi, atij nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Por edhe pse ndryshimet kanë prekur disa nene të rëndësishme të këtij ligji, qeveria nuk ka kryer asnjë ndryshim në atë çka është më e rëndësishmja, ulja e vlerës së TVSH-së e cila është 20 për qind. Kështu ndër ndryshimet më të rëndësishme në nenet e këtij ligji janë ato që kanë të bëjnë me vlerësimin tatimore që i bëjnë TVSH-së për subjektet. Administrata tatimore ka të drejtë të bëjë një vlerësim tatimor të shumës së TVSH-së kur: a) personi nuk bën deklarimin nga ajo periudhë kohe apo në formën, që përcaktohet në këtë ligj; b) personi kërkon që shuma e TVSH-së, e paraqitur si e pagueshme në një deklaratë, të ndryshojë, për arsye të një gabimi a mangësie; c) çmon se shuma e TVSH-së, e paraqitur si e pagueshme në një deklaratë, të bërë nga një person i tatueshëm, është më e vogël se shuma që duhej të ishte pasqyruar si e pagueshme; ç) personi ka qenë i çregjistruar, për shkaqet e përcaktuara në nenin 7, të këtij ligji, me efekte nga data në të cilën ishte regjistruar; d) personi duhej të arkëtonte një shumë TVSH-je për një faturë, në përputhje me pikën 6, të nenit 36, të këtij ligji; dh) çmon se, për ndonjë arsye, shuma e TVSH-së edhe pse është e pagueshme nuk është paguar. Administrata tatimore njofton me shkrim personin e tatueshëm për vlerësimin tatimor, duke i dërguar bashkëlidhur edhe kërkesën për të paguar detyrimin tatimor, TVSH-në e pagueshme, kamatëvonesat, si dhe gjobat, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në nenin 69, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Personi i tatueshëm detyrohet ta paguajë detyrimin tatimor, të vlerësuar sipas vlerësimit tatimor, të kryer në bazë të këtij neni, brenda 30 ditëve kalendarike, duke filluar nga data kur personi ka marrë apo vlerësohet ta ketë marrë njoftimin e vlerësimit dhe kërkesën për pagesë. Çdo person, ndaj të cilit është bërë një vlerësim tatimor për TVSH-në, në përputhje me nenin 41, të këtij ligji, dhe, për pasojë, organi tatimor ka nxjerrë njoftim për këtë vlerësim, nëse nuk është dakord, ka të drejtë të paraqesë ankim në Drejtorinë e Apelimit Tatimor, sipas afatit të parashikuar në pikën 3, të nenit 106, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të ndjekë procedurat e apelimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Kur një vlerësim tatimor, në bazë të një ankimi administrativ tatimor, ulet apo anulohet, organet tatimore rimburrsojnë personin, ndaj të cilit ishte bërë ky vlerësim tatimor, për të gjithë shumën e TVSH-së së paguar më tepër, sipas afateve dhe rregullave të përcaktuara në nenin 110, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
29 Maj 2009