BSH apel qeverisë para zgjedhjeve: “Kujdes me shpenzimet buxhetore dhe borxhet”
Ervin KOÇI
Vetëm një muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Banka e Shqipërisë i ka bërë apel qeverisë që të bëj kujdes me rritjen e shpenzimeve buxhetore dhe me thellimin e borxhit. Deklarata ka qenë rrjedhojë e konkluzionit të dalë nga mbledhja më e fundit e datës 27 maj, e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e cila mori në shqyrtim Raportin Mujor të Politikës Monetare. Gjatë kësaj deklarate BSH-ja ka tërhequr vëmendjen sidomos në shpërdorimin që po u bëhet parave që janë mbledhur nga privatizimi i sektorëve strategjikë. Treguesit fiskalë janë karakterizuar nga rritja e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore. Megjithatë, rritja më e shpejtë e shpenzimeve ka bërë që deficiti buxhetor të zgjerohet gjatë katër muajve të parë të vitit. Në masën më të madhe, ky deficit është mbuluar nga të ardhurat e privatizimit dhe nga financimi i huaj. Megjithëse deficiti buxhetor mbetet brenda parametrave të programuar, ecuria e mëtejshme e tij duhet të monitorohet me kujdes për të bërë të mundur një ecuri të balancuar të të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore dhe reduktimin e ndikimit të deficitit buxhetor në tregun e brendshëm financiar. Në tremujorin e parë të vitit 2009, zgjerimi monetar ka vijuar të ngadalësohet. Krijimi i parasë u mbështet kryesisht nga kreditimi i sektorit privat si dhe rritja e financimit të sektorit publik, e cila është reflektuar në rritjen e mjeteve të brendshme monetare. Gjatë kësaj periudhe, kredia për ekonominë shënoi ngadalësim të mëtejshëm të ritmit të rritjes. Portofoli i kredisë vazhdon të dominohet nga kreditimi i bizneseve. Ndërkohë që pjesa më e madhe e portofolit të kredisë është në valutë. Gjithsesi zhvillimet e tremujorit të parë nënvizojnë interesin në rritje të bankave dhe bizneseve për kreditimin në lekë.
Inflacioni
Inflacioni vjetor në muajin prill të vitit 2009 rezultoi 1.9 për qind, duke qenë pranë kufirit të poshtëm të intervalit të BSH-së për inflacionin. Rënia e inflacionit vjetor në katër muajt e parë të vitit është shkaktuar nga dobësimi i presioneve inflacioniste, si nga ana e kostove dhe nga ana e kërkesës. Rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregun ndërkombëtar u reflektua në çmime më të ulëta prodhimi dhe importi. Aktiviteti tregtar me jashtë ka shënuar rënie të eksporteve dhe të importeve. Megjithatë, deficiti tregtar i vendit vazhdon të mbetet i lartë, duke shënuar madje një zgjerim vjetor prej 4.8 për qind gjatë tremujorit të parë të vitit. Ky zgjerim pasqyron edhe kërkesën e lartë të ekonomisë për mallrat e importit të lidhur kryesisht me projektet e infrastrukturës në vend. BSH-ja po ndjek me vëmendje këtë tregues, duke vlerësuar implikimet e tij për zhvillimin ekonomik të vendit në një periudhë afatgjatë dhe duke faktorizuar qëndrueshmërinë afatgjatë të pozicionit të jashtëm në vendimmarrjen e saj.
Tregu i parasë
Gjatë muajit prill, BSH-ja ka vijuar të jetë e pranishme në tregun e parasë nëpërmjet injektimit të likuiditetit me repo javore dhe tremujore. Këto duket të kenë ndikuar në rritjen e vëllimeve të shkëmbyera në tregun ndërbankar. Pavarësisht uljes së presioneve për likuiditet, ecuria e yielde-ve në tregun primar ka ndjekur prirjen rritëse të muajve të parë të këtij viti, duke evidentuar rritje të primeve të rrezikut për interesat afatgjata. Në muajin mars, normat e interesit të depozitave në lekë kanë regjistruar një rritje të lehtë si pasojë e ofertave promocionale të bankave për depozitat afatshkurta, në përgjigje të një konkurrence më të lartë në treg për thithjen e likuiditeteve. Interesi mesatar i peshuar për kreditë e reja në lekë në tremujorin e parë ka qenë relativisht më i lartë, duke ndjekur ecurinë e yield-it të bonove të thesarit dhe kushtet e likuiditetit në sistem. Ecuria e kursit të këmbimit ka vijuar tendencën nënçmuese edhe gjatë muajit prill. Zhvillimet e fundit në kursin e këmbimit nuk kanë lejuar përcjelljen e çmimeve të ulëta në tregjet botërore në çmimet e konsumit në Shqipëri. Dobësimi i monedhës vendase kundrejt shportës së monedhave kryesore vlerësohet të ketë dhënë një ndikim në inflacionin e mallrave të tregtueshme të muajit prill. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së mbështetur në tablonë aktuale të zhvillimeve të ekonomisë reale, të ecurisë aktuale dhe të pritshme në inflacion si dhe në zhvillimet në tregjet financiare mori vendimin: “Për ruajtjen e pandryshuar në nivelin 5.75 për qind, të normës së interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjelltë të riblerjes me afat maturimi një javor”.
BSH: Besimi i konsumatorit vazhdon të bjerë
Treguesit e besimit të biznesit dhe të konsumatorit, shtrëngimi i kushteve të financimit të ekonomisë, ecuria e agregateve monetarë dhe disa tregues specifikë të performancës fiskale sugjerojnë se edhe ekonomia shqiptare ka njohur një ngadalësim të ritmit të rritjes gjatë tremujorit të parë të vitit. Sipas BSH-së, kjo ka ardhur në linjë me zhvillimet në ekonomitë e vendeve te rajonit. Megjithatë, ekuilibrat kryesorë makroekonomikë dhe financiarë të vendit mbeten solide. Presionet inflacioniste në rang botëror shënojnë rënie, duke reflektuar çmimet e ulëta të mallrave kryesorë si edhe ngadalësimin e kërkesës. Megjithëse disa të dhëna ekonomike të muajve të fundit sugjerojnë për frenimin e dimensioneve të krizës ekonomike botërore, pasiguria në lidhje me zhvillimet e ardhshme mbetet ende e lartë.
29 Maj 2009