Prokuroria katandiset pa buxhet për Antimafien dhe Ekstradimet

Mungojnë ekspertët dhe hetuesit. Qeveria nuk miratoi shtesat në buxhetin e akuzës
Prokuroria është e pafuqishme financiarisht për të zbatuar ligjin “Antimafie” dhe ligjin për marrëdhëniet me autoritetet e huaja në çështjet penale, të cilat kërkojnë ekspertë dhe hetues të trajnuar të fushës. Burime nga akuza qendrore deklarojnë se qeveria shqiptare nuk ka miratuar shtesat në buxhetin e akuzës, të cilat do të shkonin pikërisht për implementimin e këtyre dy ligjeve të reja që kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, zyra e sekuestrimeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda funksionon sipas një rregulli të brendshëm dhe në të janë emëruar dy prokurorë dhe dy hetues, të cilët, krahas dosjeve penale që kanë nën hetim dhe gjykim, duhet të verifikojnë edhe pasuritë e bandave kriminale që janë objekt i ligjit “Antimafie”. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, qeveria nuk ka miratuar kërkesat për shtimin në organikë të disa prokurorëve dhe hetuesve, të cilët do të punonin pranë Krimeve të Rënda dhe njësive antikorrupsion, Task-Forcë. Kjo ka sjellë që, nëse mund të ketë mbingarkesë në punë, akuza qendrore të komandojë prokurorë pranë njësive antikorrupsion dhe te Krimet e Rënda.
Buxheti i prokurorisë
Disa javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Parlamentit disa shqetësime për problemet e projektbuxhetit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Në projektbuxhetin e vitit 2010 që i kemi paraqitur Ministrisë së Financave, kemi pasur parasysh nevojat reale të Prokurorisë, me qëllimin e vetëm, që të realizojmë detyrat tona kushtetuese e ligjore”, thanë burimet nga akuza. Sipas tyre, projektligji për buxhetin e 2010-s ka përcaktuar një organikë në prokurori rreth 807 punonjësit. Megjithatë, zyrtarët e akuzës qendrore nuk kanë qenë dakord për këtë numër, duke kërkuar edhe 40 punonjës shtesë, për disa arsye, midis të cilave edhe për dy ligjet që kanë hyrë në fuqi në fillim të këtij viti. Në Prokurorinë e Përgjithshme punojnë aktualisht 22 prokurorë dhe u propozua që numri i ndihmësve ligjorë të jetë 11 punonjës, me arsim juridik, pjesë e shërbimit civil të cilët do të punonin për të ndihmuar prokurorët. “Për arsye të procedimeve penale në rritje në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit, duhet të krijohej një zyrë e veçantë për shërbimet e ekspertimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila mendohej që fillimisht të kishte tre punonjës, kryesisht me ekspertë të financave”, deklaronte akuza.
Krimi ekonomik
Një ndër prioritetet e akuzës qendrore është goditja e krimit ekonomik. Me gjithë mbështetjen “morale” të qeverisë për të luftuar këtë fenomen, ekzekutivi shqiptar ka qenë dorështrënguar për të financuar projekte të akuzës shqiptare, megjithatë ka pasur studime serioze. Qeveria nuk ka pranuar shtimin e organikës prej gjashtë prokurorësh dhe tre hetuesish për Task-Forcat. Ndërkohë, prokuroria duhet të bëjë mirë llogaritë për pagat e prokurorëve që pritet të emërohen pas mbarimit të shkollës së Magjistraturës, të cilët mund të jetë rreth 15 të tillë. Ndërkohë, nevojiteshin edhe pesë punonjës si administratorë rrjeti, pasi akuza shqiptare ka fituar projektin “menaxhimi i rasteve” me vlerë 2.5 milion euro. Prokuroria duhet të ringrejë edhe njëherë Prokurorinë e Përmetit, në të cilën duhen të paktën pesë punonjës. “Pas hyrjes në fuqi të ligjit ‘Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjen penale’ është e nevojshme që të shtohet struktura dhe me 6 përkthyes të gjuhëve të huaja”, deklaronte prokuroria, mendim i cili nuk është miratuar nga ekzekutivi.
#