E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherif Merdani, recital në Durrës

Koncerti Spektakli “Ku më ike ti rini” pason aktivitetin e “Festival Bar Albania”

Në kuadrin e aktiviteteve që do të realizohen gjatë muajve të verës në Golem të Durrësit, si pjesë e “Festival Bar Albania”, është lajmëruar nesër realizimi i koncertit recital të këngëtarit Sherif Merdani. I titulluar simbolikisht “Ku më ike ti rini”, Merdani i referohet kohës kur artistët u dënuan për këngën. Këtë recital, i mbushur shpesh me kujtime, nostalgji, por edhe si një thirrje kundër viteve të vështira të diktaturës, Merdani e ka realizuar në disa qytete të Shqipërisë. “Pikërisht këtë pyetje i bëj spektatorit: ‘Po juve ku ju mbeti rinia?’. Ata nuk përgjigjen dhe unë përgjigjem vetë, sepse rinia ime ngeli në burg, rinia juaj mbeti këtu, edhe ajo ishte në burg. Mendimi im është që ne kemi qenë në një burg të madh, i gjithë populli shqiptar ka qenë në një burg të rrethuar me tela”, ka thënë pak kohë më parë Merdani kur nisi të realizojë këtë recital që përshkoi thuajse gjithë Shqipërinë. Gjatë mbrëmjes në skenë do të ngjiten edhe këngëtarë të rinj që do të shoqërojnë në interpretim këngëtarin e njohur Sherif Merdani.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›