E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kundër Del Pontes për shpifjet

Autori i Lajmit: Red.
Prokuroria e Përgjithshme hedh poshtë akuzat e Karla del Pontes, të ngritura në librin “Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës”. Shpifjet e publikuara në librin e ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, në lidhje me ngjarjet që pretendohet të kenë ndodhur në vitin 2004 në zonën e Burrelit. Hipoteza se në një fshat të Burrelit ishte një spital për transplant organesh, është hedhur poshtë nga hetimet e Prokurorisë. Në zbatim të kërkesës së Gjykatës së Hagës për hetime në këtë zonë është zhvilluar një proces inspektimi dhe verifikimi i përbashkët i hetuesve të ardhur nga Haga dhe prokurorëve të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit, arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta. Megjithatë, në rast se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi mendon se duhet të vazhdojë investigimet në këtë drejtim, Prokuroria Shqiptare është e gatshme për bashkëpunim me këtë Gjykatë ose duke asistuar në rast se hetuesit e saj vijnë vetë për hetime në Shqipëri, ose duke mirëpritur të dhëna shtesë që do t i jepnin shkak Prokurorisë Shqiptare për të filluar hetime në këtë çështje në bazë të legjislacionit në fuqi.

Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›