E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realiteti i pastër shqiptar prek skenën e Teatrit Kombëtar

Autori i Lajmit: Red.
Nuk është një shfaqje për gjakmarrjen, për ngujimin e kanunin. Është realiteti i pastër shqiptar. Absurd dhe kontradiktor. Në posterat e mirëseardhjes përfaqësohet nga një bretkosë, si të ishte ajo thelbi i gjithçkaje. Në këtë mes nuk ka asgjë të çuditshme. Ndonjëherë çiftëzimi i bretkosave konsiderohet si çështje me rëndësi e interes, përkundër çdo pikëpyetjeje jetësore. Mbrëmjen e djeshme në orën 19.00 në skenën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar u shfaq "Allegretto Albania", e shkruar nga Stefan Çapaliku me regji të Altin Bashës. E kanë quajtur "komedi serioze", pasi situatat që krijohen në vepër janë vërtet komike, ndërkaq flitet për çështje shqetësuese. Edhe pse në qendër të komedisë është një familje e ngujuar për shkak të gjakmarrjes, vepra rreket të trajtojë problemin mbi marrëdhënien e realitetit të "vogël" atij familjar, në përballje me realitetin e jashtëm. Është drama e një familjeje të ngujuar përballë një realiteti indiferent që përpiqet t i shfrytëzojë sa të mundet. Nxjerrin krye shoqata për pajtimet e gjaqeve, OJF-ra e pseudomësues, që fitojnë projekte mbi një dhimbje. Pa llogaritur realitetin mediatik, që fokusohet jo rrallë herë në çështje sipërfaqësore. Kryelajmi i edicioneve informative është një stinë koncertore, ndërsa mësuesi i paguar nga shoqatat për të mësuar fëmijët e ngujuar shpjegon shumimin e bretkosave. Kjo është edhe arsyeja pse në posterat e shfaqjes "përshëndet" një kafshëzë me ngjyrë të gjelbër. Regjisori Altin Basha premton të shtjellojë tek "Allegretto Albania" edhe raportin mes brezave, marrëdhënien burrë-grua, por mbi të gjitha, raportin me veten. Është pikërisht një dilemë personale që bëhet fillesa e dramës. Gjaksi ka çuar fjalë se krimi i kryer do të lahet me vrasjen e më të mirit të fisit dhe burri i familjes në fjalë mendon se është pikërisht ai. Dilema e të qenit ose jo, më i miri e bluan përbrenda personazhin, për faj të të cilit qëndron e ngujuar një familje e tërë. Në vepër interpretojnë aktorët Mirush Kabashi në rolin e babait, Olta Daku në rolin e nënës, Gazmend Paja në rolin e djalit të madh, Ahmet Pasha në rolin e mësuesit, Vasian Lami në atë të një ish-vrasësi, Klea Konomi në rolin e një kryetareje shoqate për pajtimin e gjaqeve dhe spikere televizioni, dhe Xhejni Fama në rolin e djalit të vogël. Skenografia dhe kostumografia mbajnë fimën e Iliriana Loxhës, ndërsa muzika është shkruar nga kompozitori Endri Sina.

Box
Personazhet
Babai, kritik muzike – Mirush Kabashi
Nëna, shtëpiake – Olta Dako
Djali i madh – Gazmend Paja
Djali i vogël – Xheni Faja
Pajtimja, kryetare e shoqatës së pajtimit dhe spikere televizioni – Klea Rondo
Mësuesi-vullnetar i shoqatës së pajtimeve të gjaqeve –
Satedini, ish vrasës - Vasian Lami

Ky lajm është publikuar: 16/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›