“Vrasja e shqiptares, policia mashtron”
• Dëshmitarja okulare fajëson policin amerikan se ka vrarë pa shkak gruan...... shqiptare Dëshira Selimaj, e cila u qëllua me një plumb në zemër më 12 shkurt 2008 në prani të fëmijëve dhe bashkëshortit të saj. Ngjarja ka ndodhur në Henderson, qytezë në shtetin Nevada në perëndim të SHBA-së. Zyberi, i shoqi i Dëshira Selimajt ishte ndaluar në rrugë pasi nuk qëndroi me makinën e tij para një tabele me mbishkrimin STOP. Viktima po shkonte në ndihmë të bashkëshortit, i cili derisa nuk dinte mirë anglisht nuk po kuptohej me policët që i vendosën një gjobë prej 650 dollarë. Dëshmitarja okulare e ngjarjes ka pohuar se, deklarimet e punonjësve të policisë që pretendojnë se gruaja kishte një thikë në dorë, janë të rreme. “Gruaja shqiptare ishte afruar për të ndihmuar të shoqin, që kishte ndaluar makinën në trotuar. Ai ishte ndaluar nga policët për ecje me shpejtësi dhe mosrespektimin të sinjaleve afër Pecos Ridge Parkway dhe Sunridge Heights Parkway. Gruaja e vrarë nga policia nuk kishte asgjë në duar dhe dukej se nuk fliste mirë anglisht. Përpiqej të sqarohej me duar, por nuk pashë të bënte ndonjë veprim agresiv ndaj oficerëve të policisë. Ata kishin mundësi ta arrestonin gruan pa krijuar këtë incident. Ishte gjithçka si në një film. Njerëzit që ishin rreth e rrotull shikonin të habitur dhe pyesnin pse goditën policët, ndërkohë dëgjoheshin të qarat dhe ulërimat e fëmijëve dhe të bashkëshortit të gruas”, ka deklaruar gjatë dëshmisë së saj, një grua që jetonte afër vendit ku ndodhi ngjarja. “Nuk e di se çfarë më bëri të ktheja kokën, por ndalova makinën dhe ula xhamin e dritares. Pashë gjithë skenën që ishte rreth 25-35 metra larg nga unë. Që aty pashë Dëshira Selimajn që fliste me duar që i lëvizte lart e poshtë dhe katër policë që e kishin e rrethuar dhe kishin ngritur pistoletat drejt saj. Gruaja shqiptare mundohej të komunikonte me anglishten e saj të limituar me policët. Unë dëgjova fjalët “poshtë” dhe “ulni armët”. Dëgjova dhe fjalët e policëve kjo është e çmendur”, ka shtuar gruaja dëshmitare e ngjarjes, ku polici amerikan vrau 42-vjeçaren në sy të tre fëmijëve të saj dhe bashkëshortit. Dëshmitarja pohon se nuk ka dëgjuar që policët t’i jepnin ndonjë urdhër Dëshira Selimajt. Ndërkohë në deklaratën e policisë thuhet se, gruaja nuk i është bindur ndaj urdhrave për të disatën herë dhe se ajo mbante një thikë në dorë, të cilën e kishte drejtuar dhe ndaj djalit të saj vetëm 11 vjeç. Por ndryshe është varianti i dhënë për ngjarjen nga dëshmitarja okulare. Sipas dëshmitares së krimit, gruaja nga Shqipëria nuk mbante ndonjë thikë në dorë. “Unë nuk pashë që gruaja të kishte thikë në dorë. Unë pashë që ajo u pengua dhe u rrëzua. U ul në bordurë dhe policët kishin mundësi ta arrestonin në atë moment. Por kur ajo tentoi të ngrihej ata e qëlluan”, tha dëshmitarja okulare e ngjarjes. Hetimet kanë identifikuar edhe policin që ka qëlluar gruan nga Shqipëria. Autori i vrasjes është 23-vjeçari, Luke Morrison. Ai është pezulluar përkohësisht nga detyra, pasi qëlloi me plumb në zemër 42-vjeçaren shqiptare.EKZEKUTIMIDëshira Selimaj, 42-vjeçarja nga Shqipëria, e cila është vrarë nga një polic amerikan e kishte gjetur bashkëshortin e saj duke qarë kur mbërriti në vendin e ngjarjes. Për këtë shkak ajo është revoltuar, ndërsa policia pretendon se me një thikë në duar ajo ka tentuar të kryente një sulm ndaj tyre. Me këtë argument është justifikuar edhe përdorimi i armës ndaj gruas shqiptare. DENONCIMIVrasja e Dëshira Selimajt është pasuar me denoncimin e bashkëshortit të saj, i cili ka pohuar se policia kishte mundësi të shmangte ekzekutimin e shqiptares. Bashkëshorti i viktimës por edhe dëshmitarët e vrasjes, kanë denoncuar policët, të cilët sipas tyre nuk kishin përdorur asnjë masë parandaluese ndaj gruas nga Shqipëria. Sipas dëshmitarëve ajo nuk tentoi të sulmonte policët. HETIMIAutoritetet amerikane kanë hapur një hetim të brendshëm për rrethanat në të cilat është vrarë gruaja nga Shqipëria. Përfundimet e hetimit pritet të bëhen të ditura në ditët e para të muajit prill, ndërsa policia ka ndryshuar dy herë deri më tani fakte dhe rrethana të ndryshme të ngjarjes. Ajo fillimisht tha se, kishte telefonuar gruan pas ndalimit të bashkëshortit, por më pas pranoi se i shoqi kishte telefonuar viktimën. Pas vrasjes, Zyber Selimaj në vështirësi financiareSHBA – Bashkëshorti i gruas së vrarë nga policia në SHBA po përballet tani i vetëm me rritjen e tre fëmijëve të traumatizuar nga ngjarja. Të miturit e moshës nga 5 deri në 11 vjeç, si dhe babai i tyre mësohet se ndodhen në vështirësi financiare edhe pse në adresë të tyre është hapur një numër llogarie bankare, ku qytetarët mund të depozitojnë shuma financiare. Zyber Selimaj, i shoqi i gruas së vrarë është një ish i burgosur politik në Shqipëri, i cili vuajti 22 vite burg para se të emigronte në SHBA. Ai bashkë me gruan e tij patën shpresë për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, të cilët që në moshë të mitur “u dënuan” duke qenë të pranishëm në momentet e vrasjes së nënës së tyre. Ajo u qëllua me një plumb në zemër nga një polic, më 12 shkurt 2008. Atë ditë i shoqi i saj Zyber Selimaj u ndalua nga policia dhe po përpiqej të sqaronte se nuk kishte mundësi të paguante gjobën prej 650 dollarësh të vendosur ndaj tij. Pasi i vranë gruan, gjoba ndaj 65-vjeçarit shqiptar është ulur me 10-fish duke rënë vetëm në 67 dollarë për mosmbajtje rripi të sigurimit.