Priten emrat e rinj të bluve të kryeqytetit
Krerët e disa komisariateve dhe të disa seksioneve pritet të njohin drejtuesit e rinj të tyre
TIRANE- Transferimet e kuadrit dhe të oficerëve të Policisë, pritet të prekin gjatë ditëve të ardhshme radhët e oficerëve të niveleve drejtuese të policisë së kryeqytetit, kryesisht shefa komisariatesh dhe seksionesh. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë që pohuan se ndryshimet e krerëve të disa komisariateve në kryeqytet, si dhe të disa seksioneve të hetimit të krimit, apo seksione të tjera. Të njëjtat burime pohuan se ende nuk dihet se cilët do të jenë shefat, apo krerët e seksioneve që do të qarkullojnë, në detyra paralele, apo do të shkarkohen për t'u emëruar në detyra të tjera.
Hamendësimet dhe pëshpëritjet nën zë mes efektivëve të policisë së kryeqytetit kanë ditë që ziejnë duke pëfolur emrat e oficerëve dhe drejtuesve të bluve të kryeqytetit që do të lënë vendin bosh për pasardhësit. Ndërkaq burimet e "Shekullit", kanë pohuar se pritet që së paku krerët e tre komisariateve të lënë detyrën e tyre për emrat e rinj që do të emërohen.
Një ndër komisariatet që duket se është konfirmuar ndryshimi i kreut të ri të tij, është ai nr.6 në Kombinat të Tiranës. Emri i parë që është firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe që do të nisë punën është kryekomisar Selman Tema. Ai është rikthyer në këtë detyrë, pas më tepër se një viti që kur la funksioin për t'u transferuar në kryeqytet. Ai njihet për eksperiencën e tij në krye të Komisariatit të Lushnjes dhe komisariatit nr.6, në kryeqytet.
Paraardhësi i Temës, Ilirjan Balla, është transferuar specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.Transferime të tjera u kryen edhe pak ditë më parë, kur u emëruan shefat e rinj të komisariateve të Fierit dhe të Lezhës. Pas këtyre ndryshimeve të firmosura nga kryepolici Burgaj, pritet që ai të hedhë firmën edhe në listën e re që do t'i dërgohet atij nga Drejtoria e Personelit. Pak javë më parë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, firmosi ndryshimet e thuajse të gjithë drejtorëve të Policisë në qarqe dhe disa prej zëvendësve.
Një pjesë e tyre u transferuan në detyra të tjera në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ndërsa disa prej tyre u transferuan në detyra paralele. Në këto transferime bie në sy transferimi i ish- Drejtorit të Fierit që u emërua në krye të Drejtorisë së Forcave Speciale. Ndërkaq, krerët e Policisë së Dibrës, Durrësit, Kukësit dhe Lezhës, Beratit e Korçës, u transferuan në detyra paralele, duke mbajtur të njëjtat pozita si më parë.