E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbini zgjohet me trakte: Ngrihuni në protestë!


KURBIN - Qyteti i Laçit është zgjuar ditën e Kurban Bajramit plot me fletushka të ngjitura në vendet më të dukshme dhe të shpërndara në çdo lagje, ku bëhej thirrje për protesta. Duke nisur nga reformat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë e duke përfunduar në kundërshtimin e rritjes së çmimit të energjisë, në këto fletushka u bëhej thirrje të gjithë banorëve që të ngriheshin për të drejtat e tyre. Duke akuzuar sindikatat e punonjësve si organizata të bëra palë me qeverinë, në këto trakte kërkohej që të gjithë qytetarët e Laçit të ngriheshin në protestë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, çka do të çonte automatikisht në rritjen e çmimeve të tjera, hapjen e vendeve të punës për numrin e shumtë të të papunëve, kundërshtimin e politikave që po ndjek Ministria e Shëndetësisë, përfshirë këtu rritjen e çmimit të shërbimit nëpër spitale e poliklinika, çka po rëndon akoma më tepër xhepat e shqiptarëve. Gjithashtu, në këto fletushka bëhet thirrje për sigurimin e rendit dhe qetësisë në vend, duke mos lënë pas dore kërkesën për dëmshpërblimin e banorëve, tokat e të cilëve i ka zënë autostrada, duke theksuar se çmimi i tokës është më i ulëti në vite. Në trakt përmendej edhe lidhja e qytetit të Laçit, Milotit e Rubikut me autostradën me anë të një rrethrrotullimi. Shumë prej këtyre fletushkave janë grisur nga policët e Bashkisë së Laçit, si dhe policia e rendit, teksa kanë nisur hetimet për të gjetur personat që kanë shkruar dhe vendosur këto thirrje nëpër qytet. Nga ana e vet, grupi organizator është shprehur se nuk përfaqëson asnjë parti politike, por do të nisë protesta mbarëpopullore, të cilat do të njoftohen më parë, për të kërkuar të drejtat e veta dhe mosnëpërkëmbjen më të nënshtetasve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›