E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria në Hagë: Apel kundër lirimit të Haradinaj

Kryeprokurori i ri i Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë, ka vendosur të apelojë kundër vendimit të Gjykatës për dhënien e pafajësisë së ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, mbi akuzat e pastrimit etnik.

 "Dokumentin e apelit të këtij vendimi ne do ta paraqesim nesër", tha dje Olga Kavran, zëdhënëse për Serge Brammertz, në një konferencë për shtyp. Më 3 prill, gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi e çliroi nga akuzat Haradinaj, një ish-komandant i UÇK-së, nga 37 akuzat kundër tij, përfshirë ato për vrasje, përndjekje, përdhunim dhe deportim të serbëve të Kosovës në zonat e kontrolluara prej tij, gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë. Pasi gjyqi theksoi ngurrimin e dëshmitarëve për të dëshmuar, Haradinaj dhe një prej bashkëpunëtorëve të bashkakuzuar të tij, Idriz Balaj, u liruan, ndërsa i treti, Lahi Brahimaj, u dërgua në një kamp, pasi mori dënimin me gjashtë vite heqje lirie mbi akuzat e trajtimit mizor të burgosurve në një kamp të UÇK-së.
Prokuroria e Hagës kishte kërkuar 25 vite burg për tre figurat e rëndësishme të komandës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë ishin deklaruar të pafajshëm. Haradinaj, 39 vjeç, ishte komandant i një grupi të UÇK-së në kohën e luftës mes etnive, ndërsa Balaj, 36 vjeç, ka drejtuar një njësi paramilitare të quajtur "Shqiponjat e Zeza". Juria pranoi se gjyqi është zhvilluar në një atmosferë në të cilën dëshmitarët mund të mos ndjeheshin të sigurt. Sipas deklaratave nga Haga, 34 nga 81 dëshmitarë duhej të merrnin pjesë në programin e mbrojtjes së dëshmitarit. Në vitin 2005, pasi mori fletarrestimin nga Haga, Haradinaj dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe iu dorëzua gjykatës. Mbrojtja e Haradinaj e vlerësoi luftën e UÇK-së jo si një organizim ushtarak kundër serbëve, por si një "lëvizje e qytetarëve të tmerruar kosovarë, që u formua në fshatra dhe nga grupe familjare". Zyrtarët serbë kanë reaguar mjaft ashpër pas vendimit të Hagës për të liruar Haradinaj. Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, e përshkoi këtë akt "tallje me drejtësinë" dhe presidenti Boris Tadiç kërkoi apel kundër këtij vendimi që pas dy ditësh. Ndërkohë nga pala serbe, Haga është ende në kërkim të të kërkuarve për krime lufte, si gjenerali Ratko Mlladiç, (i akuzuar për masakrën e Srebrenicës në vitin 1995 në Bosnje, ku u vranë 8.000 myslimanë) dhe Radovan Karaxhiç.

OKB nis hetimet për 17 marsin
Një ekip i hetuesve të Kombeve të Bashkuara ka nisur hetimet për trazirat e 17 marsit në Mitrovicë, nga të cilat humbi jetën një paqeruajtës ukrainas, ndërsa u plagosën qindra persona të tjerë. Ekipi i hetuesve do të përgatisë një raport, të cilin do t'ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. Ata po intervistojnë edhe zyrtarë të lartë të UNMIK-ut. Hetimet janë autorizuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, për të vërtetuar rrethanat që çuan në shpërthimin e dhunës ndërmjet serbëve dhe policisë së UNMIK-ut si dhe reagimin e autoriteteve. Trazirat në Mitrovicë shpërthyen një muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që KFOR përpiqej të rimerrte gjykatën ndërkombëtare të marrë me dhunë nga protestuesit serbë.

Haraçia: Jam i pafajshëm
Vendimi për të rihapur çështjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga Prokuroria e Hagës, erdhi pas vizitës së trashëgimtarit të kryeprokurores Karla Del Ponte në Beograd. Disa ditë pas takimit të tij me zyrtarët serbë, Brammetz vendosi të hapë çështje për pengim dëshmitarësh kundër ish-ministrit kosovar të Kulturës, Astrit Haraçia dhe nëpunësit të tij, Morina. Sipas Prokurorisë së Hagës ka një dëshmitar, i cili rrëfen se Morina, i nxitur nga Haraçia, ka tentuar ta pengojë atë të dëshmojë në gjyqin kundër Haradinaj. Haraçia dhe Morina u deklaruan të pafajshëm sapo u paraqitën në Hagë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›