E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet arsenali i armëve

Bllokohen 74 pistoleta dhe një sasi armatimi që po transportoheshin prej dy vëllezërve nga Bathorja në rrugën e Dibrës, pranë ish-farmacisë 10.

Dashamir Biçaku

 Operacioni u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Tiranë nga oficerët antitrafikut të Policisë së Shtetit dhe agjentët e policisë së Tiranës. Aksioni i koduar "Morina", përfundoi me arrestimin e dy vëllezërit, Mehmet dhe Halit Zhërka, përkatësisht 33 e 37 vjeç. Ata, sipas policisë, janë arrestuar në dy automjete të ndryshme të markave "Mercedez-Benz" dhe "Nissan Patrol", pranë farmacisë n.10 në rrugën e Dibrës, kur po transportonin 50 pistoleta "Zastava" të vogla, si dhe 24 pistoleta të markës "Bereta". Veç pistoletave hetuesit kanë bllokuar një granatahedhës, 6 predha kundra tanke, 120 granata dore, 120 ndezës granatash, si dhe 150 copë fishekë të llojeve të ndryshme. Dy vëllezërit me banim në Bathore, dyshohet se po i trafikonin armët nga Kosova, për t'i shitur ato në tregun vendas. Ata akuzohen për mbajtje dhe trafikim të armëve dhe municioneve luftarake. Operacioni i koduar "Morina" ka qenë një blerje e stimuluar e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që kishte mundur të zbulonte mekanizmin e këtij trafiku më tepër se dy muaj më parë. Që nga kjo kohë, oficerët e antitrafikut në Policinë e Shtetit kanë nisur operacionin për të zbuluar provat e këtij trafiku dhe për të bllokuar armët dhe municionet që dyshohej se trafikoheshin. Ende nuk dihet se çfarë vlere monetare iu është premtuar vëllezërve nga blerësi i panjohur, në këtë rast bashkëpunëtor i policisë. Ky i fundit u kishte lënë takim të arrestuarve në një zonë pranë Medresesë në rrugën e Dibrës. Dy mjetet e markës "Mercedez-Benz" dhe "Nissan", janë parkuar pranë vendit të takimit, por në vend të blerësit përpara tyre në mënyrë të papritur janë afruar një grup civilësh, të cilët i kanë arrestuar dy vëllezërit dhe më pas kanë bllokuar edhe makinat e tyre. Gjatë kontrollit të zhvilluar në makina, policia ka bllokuar armët, të cilat gjendeshin në bagazhet e mjeteve. Pas kontrollit rutinë mjetet janë dërguar në Drejtorinë e Policisë dhe zotëruesit e tyre, dy vëllezërit banues në Bathore, janë prangosur në flagrancë. Në ambientet e policisë armatimi është inventarizuar dhe administruar si provë materiale, ndërsa një agjent policie ka marrë në pyetje dy vëllezërit e arrestuar.

Sekuestruar

50 pistoleta "Mini Zastava"
24 pistoleta "Bereta"
120 granata dore
120 ndezës granatash
150 copë fishekë
6 predha antitank

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›