E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtronte me ilaçet, pushohet farmacisti i QSU

 zirina llambroNuk u jepte pacientëve  me kancer dozat e nevojshme të ilaçeve që shteti ua siguron falas. Duke reklamuar mungesën e barnave, që në fakt ndodheshin në spitalin Onkologjik, ai u ofronte ndihmën e tij kundrejt parave nën dorë. Më pas, korrigjonte faturat mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme parash. Pas verifikimit të këtyre shkeljeve, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" pushoi dje nga puna ndihmës-farmacistin e shërbimit Onkologjik, Hysni Bajrami. "Kjo masë e menjëhershme administrative është marrë në mbështetje të Ligjit  dhe Kodit të Punës",bëri me dije drejtoria. Sipas  krerëve të saj, ky vendim mbështetet gjithashtu  edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. "Ky i fundit ka vendosur një gjobë prej disa milion lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë, ku ai punon.", bëjnë me dije krerët e spitalit më të madh në vend. Ndërkaq në gjykatën e Tiranës ka mbërritur edhe një kallëzim penal për "Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike". Hetimet janë në proces ndërkohë që shtetasi Hysni Bajrami dyshohet edhe për veprën penale të "Shpërdorimit të detyrës" Ndërkaq Drejtoria e QSUT-së njofton se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi. Ankesat e pacientëve për mungesa të ilaçeve në spital janë të përditshme. Por ato vijnë rëndom edhe kur farmacia ka gjendje. Akuza të shumta janë hedhur për përvetësim të barnave, në mënyrë që të sëmurët t'i blejnë me paratë e tyre. Kjo situatë nuk është e re as në QSU dhe as në spitalet e tjera të vendit. Pasojat duhet t'i vuajnë mbi kurriz vetë të sëmurët të cilët shpesh kanë blerë edhe fashot e serumet. Drejtoria e spitalit "Nënë Tereza" paralajmëron masa administrative të menjëhershme në rast se konfirmohen këto shkelje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›