Prokuroria, një celulë ekstremiste, vepron me platformën e Sigurimit të Shtetit

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që rrëzoi akuzat e prokurorisë ndaj kreut të LSI-së, vëmendja kthehet tek veprimtaria joligjore e institucionit të akuzës. Duke e konsideruar sjelljen e këtij institucioni me prapavijë politike, Ilir Meta njofton se do investohet politikisht për reformimin e prokurorisë, duke e shkëputur atë nga praktikat e ish-Sigurimit e duke e kthyer në brazda kushtetuese
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzon ashpër organin e akuzës si të varur politikisht dhe tërësisht e paaftë dhe jo profesionale. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta e përshëndeti këtë vendim, duke e konsideruar si të drejtë për vazhdimin e gjykimit ashtu siç edhe ai vetë kishte kërkuar pak ditë më parë përmes një Memo/kërkese drejtuar këtij institucioni gjyqësor. Meta bën përgjegjës Prokurorinë për manipulimin e tmerrshëm dhe skandaloz që i ka bërë çështjes së video-skandalit, e cila është nga fillimi deri në fund një montazh, një falsifikim, një mashtrim i madh që i është bërë opinionit publik, por njëkohësisht edhe të gjithë veprimet e paligjshme dhe ekspertimet e paligjshme të prokurorisë tregojnë për fatin e keq se si prokuroria e shtetit është kthyer në një instrument për të justifikuar të gjitha këto manipulime.
Komenti - Prokuroria e Ina Ramës si Hetuesia e Enverit/Ina Rama e ka kthyer Prokurorinë në Hetuesinë e Enverit. Gjithmonë është folur për gërshetim të procedurave të funksionimit të organit të akuzës me të kaluarën e errët të sigurimit të shtetit dhe hetuesisë vrasëse të kohës. Një prokurori që kryen më së miri porositë e politikës, duke u bërë shërbëtore e parë e çdo tendence me indice dhe lakmi pushteti të Edi Ramës dhe sferave të tjera të ndikuara prej dhe rreth tij. Organi i akuzës vazhdon të cilësohet si i paaftë profesionalisht dhe dirigjohet sipas urdhrave partiakë. Deri këtu ka arritur integriteti dhe profesionalizmi i prokurorisë së Ina Ramës dhe dirigjentëve që fshihen pas pelerinës së saj të zezë, në aktet e gjykimeve me prapavijë dashakeqe dhe dukshëm megalomane pushtetare. Ina Rama nuk po i kryen siç duhet detyrat e saj, madje ka krijuar elasticitet ndaj funksioneve të saj si organ legjitim i pavarur dhe “duarve” të ngurta të politikës së majtë. Brishtësia sjell mungesë rezistence dhe kjo e fundit nënkupton “zaptim” të plotë. Mirëfilltazi dhe pa komente të tepërta, Ina Rama përveç mbiemrit të përbashkët me Edi Ramën, me këtë të fundit e lidh edhe bashkëpunimi në skandalizimin e drejtësisë shqiptare. Prokuroria po denigron sistemin dhe për këtë s’ka dyshime, veçse përgjegjësitë për këtë katrahurë ndaj ligjit dhe kushtetutës i mbajnë dirigjentët e kafeneve luksoze të Tiranës, ata njerëz që “pasuruan” fjalorin e gjuhës shqipe me frazeologji si “ngjarjet e bulevardit”. Madje ka patur edhe më keq akoma, kur janë dekoruar prokurorë dhe hetues vrasës, me medalje të çmuar për veprën e tyre të “lavdishme”, në ekzekutimet barbare të shqiptarëve. Dhe tendenca e të gjithave është kapërcimi i ligjit dhe kushtetutës. Falsitete të panumërta, fshehja dhe manipulimi i të vërtetës, tjetërsimi i saj apo edhe shantazhet e panumërta se “gjithçka që thua do të përdoret kundër teje”, janë veçse doktrina e hetuesisë së Enverit dhe zinxhiri i tyre vazhdon të mbetet nyje e Sigurimit të Shtetit. Këto janë problemet ku lëngon drejtësia shqiptare. Dhe domosdoshmërinë për reformimin e sistemit e fshehin instanca të tilla si “falsifikatorët e provave”, “ngjarjet e bulevardit” apo dhe “dekoruesit e vrasësve”.
Intervista e plotë e kreut të LSI-së, Ilir Meta
Ju thatë që në datën kur është transmetuar videoja prokuroria nuk është lejuar ta zbardhë çështje për shkak të zgjedhjeve të 8 majit. A mund ta dimë se cili është ai që nuk e ka lejuar prokurorinë e përgjithshme që ta zbardhë çështjen, nga kush varet kjo prokurori?
Meqenëse ju përmendët zgjedhjet e 8 majit, do t’iu ftoja të jeni të vëmendshëm. Një pjesë e juaja kanë ndjekur edhe seancat e deritanishme gjyqësore. Videoja është transmetuar më datën 11 janar dhe më datë 12 janar prokuroria ka hapur këtë çështje, por e ka regjistruar pa emër, ndërkohë që në qendër të kësaj çështjeje ishte personi Ilir Meta, i cili e kishte kërkuar edhe vetë që kjo çështje të zbardhet nga ana e prokurorisë.
Nga data 12 janar deri në 9 shkurt çështja ka qenë pa emrin e Ilir Metës, edhe pse ka qenë shumë e qatë që hetohej Ilir Meta, edhe pse unë kam qenë me dëshirën time në prokurori para 9 shkurtit kur çështja është regjistruar me emrin Ilir Meta. Edhe pse përgjuesi im ka qenë në prokurori dhe është pyetur e hetuar për këtë çështje. Edhe pse persona të tjerë janë pyetur dhe janë hetuar për këtë çështje. Edhe pse akti i ekspertimit ishte dërguar në SHBA dhe bëhej fjalë për personin tim. Ju do të thoni pse prokuroria e regjistroi më 9 shkurt me emrin Ilir Meta dhe nuk e regjistroi më 12 janar? Sepse afati sipas kodit të procedurës penale është 90 ditë dhe nëse kjo çështje do të ishte regjistruar më 12 janar me emrin Ilir Meta atëherë i binte që kjo çështje të përfundonte më 12 prill. Duke e regjistruar qëllimisht më datën 9 shkurt, pas 90 ditësh, i bie data 9 maj, që është një ditë pas zgjedhjeve lokale të 8 majit. Edhe diçka tjetër që e kemi thënë edhe më përpara dhe që ia vlen ta përsërisim se zgjedhjet mbaruan dhe kemi kohë tani. Ne kemi kërkuar përshpejtimin e procesit dhe prokuroria i ka pasur të gjitha mundësitë që këtë çështje ta çonte në gjykatë me kohë. Si shpjegohet që prokuroria e thirri të pandehurin Ilir Meta ditën e parafundit të zgjedhjeve, kur mbyllej fushata elektorale më 5 maj, për t’i komunikuar akuzën në prokurori? A ishte kjo e rastësishme, sigurisht që ju jeni përfaqësues të media dhe e dini shumë mirë se nuk ishte fare e rastësishme. Sepse prokuroria me një shoë mediatik të porositur për arsye politike dhe elektorale donte që t’i jepte një goditje tjetër në prag të zgjedhjeve. Ishte dita e enjte, e fundit e fushatës elektorale, të gjitha televizionet do të jepnin Ilir Metën duke dalë nga prokuroria me një akuzë tashmë dhe ditën e premte të gjitha gazetat për ta mbyllur fushatën elektorale me këtë çështje e cila provon edhe një herë tjetër se duhet një reformë tepër serioze në prokurorinë e shtetit. Jo për Ilir Metën, sepse unë kam qenë shumë i hapur me prokurorinë, kam kërkuar bashkëpunim, duke shkuar vetë në prokurori, i kam thënë prokurorisë bashkë me avokatët se kjo çështje qëndron në këtë mënyrë, bëni ekspertimin ku të doni ju vetëm bëjeni në mënyrë të ligjshme, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, siç e kërkon ligji në mënyrë që edhe eksperti atje në SHBA apo kudo që të jetë të betohet para një gjykate dhe të mbajë përgjegjësi në rast se ai manipulon apo nuk tregon të vërtetën. Njëkohësisht ne kemi kërkuar që të kemi përfaqësuesit tanë gjatë procesit të ekspertimit sepse këtë të drejtë na e jep ligji. Dhe kjo gjë nuk ka ndodhur as herën e parë, as herën e dytë dhe as herën e tretë. Të gjitha këto shkelje ne i kemi lajmëruar dhe kemi reaguar ndaj Prokurores së Përgjithshme me shkrim, unë personalisht dhe avokatët e mi, dhe përsëri prokuroria ka bërë këtë lojë që ju e patë edhe dje se si u vlerësua. Duhet të keni parasysh se të dy ekspertët praktikisht janë në favorin tonë, por akti i ekspertimit është i paligjshëm, prandaj është i pavlefshëm dhe të gjitha këto janë të paligjshme e të pavlefshme për një arsye shumë të qartë: sepse nëse do të ishte bërë një akt ekspertimi i ligjshëm dhe i vlefshme çështja do të ishte mbyllur me kohë. Nuk ishte ky interes që çështja të mbyllej përpara 8 majit, sepse unë duhet të thirresha në prokurori ditën e parafundit të fushatës së zgjedhjeve vendore dhe njerëzit duhet të shkonin te kutitë e votimit me mendimin që ja edhe kjo çështje, për të cilën po bëhet një zhurmë e madhe, doli që prokuroria ka të drejtë se kot prokuroria nuk po e çon në gjykatë. Po çfarë po çonte prokuroria në gjykatë? Prokuroria s’ka asnjë provë, nuk ka asnjë dëshmitar. Prokuroria ka vepruar tërësisht në këtë çështje mbi platformën e vjetër të sigurimit të shtetit. Sepse në kohën e sigurimit të shtetit njerëzit dënoheshin me dëshmitarë të rremë dhe dënoheshin me fabrikime, siç janë praktikisht të gjitha ato që ka bërë prokuroria deri tani. Unë po ju them se në rast nuk do të ishte ndërhyrja e avokatëve përpara një jave të cilët kërkuan zyrtarisht dhe publikisht që çështja të mos pushohet për mos respektim të afateve ne sot do të kishim një çështje të pushuar për procedurë. Edhe ju ndonëse jeni më të informuar se qytetarët e tjerë, do të thoshit ja u mbyll dhe kjo çështje për procedurë. Çështja e Bashës u mbyll për procedurë, ky është refreni, kur dihej shumë mirë se nuk është faji i z. Basha apo i avokatëve, por ka qenë përgjegjësi e prokurorisë që për një vit e ca nuk ka kryer asnjë hetim, nuk ka kryer asnjë hetim dhe e ka mbajtur edhe atë çështje për fushatë elektorale. Pra ishte ky veprim i cili bëri të mundur që ne të kemi seanca të tjera dhe t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe të konfirmohen edhe shkeljet e tjera që ka bërë prokuroria. Ju duhet ta dini që prokuroria i ka trajtuar dëshmitarët si në kohën e sigurimit të shtetit, duke i mbajtur për 10 orë për asgjë. Dhe lista e gjatë e dëshmitarëve përbëhet nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë nga këto çështje për të cilat prokuroria ngre akuzat apo dyshimet e saj, vetëm e vetëm për të marrë ndonjë fjalë apo ndonjë fjali cila mund të përdoret gjoja si indicie në këtë proces.
Ju përmendët reformën në prokurori dhe kryeprokuroren. A do të ketë një nismë nga grupi juaj parlamentar për të kërkuar shkarkimin e kryeprokurores së përgjithshme?
Problemi nuk është thjesht për shkarkime. Kjo është gjëja më e thjeshtë, sepse në Shqipëri janë shkarkuar shpesh kryeprokurorë, por për fat të keq ky insitucion ka mbetur i pa reformuar. Sepse ende në prokurori ekziston e kalcifikuar mendësia e funksionimit të saj si në kohën e sigurimit të shtetit. Gjë që është tërësisht e papranueshme për një vend demokratik dhe europian siç është Shqipëria. Natyrisht, që kur të përfundojë i gjithë ky proces unë do ta informoj parlamentin për të gjitha këto shkelje skandaloze. Sepse parlamenti është gënjyer, parlamenti është mashtruar. Natyrisht, unë e kërkova vetë heqjen e imunitetit, edhe ky ishte dhe një vullnet i mazhorancës. Ne kemi kërkuar që të hiqet imunitetit për të gjithë deputetët, për të gjithë zyrtarët e lartë dhe nuk mund të dalim kundër kur bëhet fjalë për një rast konkret. Gjithsesi, kjo nuk mund të justifikojë veprimet e paligjshme, veprime thellësisht politike, veprime të cilat shkatërrojë besimin tek institucionet dhe te ligji. Sepse kur sillet në këtë mënyrë organi i prokurorisë, mendoni tani se si mund të sillen institucionet e tjera.
A keni një emër dhe prova që kryeprokurorja e përgjithshme është ndikuar nga një subjekt apo një person në këtë çështje?
Të gjitha këto që unë përmenda janë prova, a doni të tjera? Atëherë, prokuroria e ka regjistruar çështjen pa emrin e Ilir Metës më datën 12 janar kur bëhej fjala për të hetuar Ilir Metën. E ka regjistruar me emrin e Ilir Metës vetëm më datën 9 shkurt, sepse vetëm kështu gjithçka vihej në funksion të 8 majit. Kësisoj, afati 90-ditor i hetimeve përfundonte më 9 maj. Nga 12 janari deri në 9 shkurt të gjitha hetimet janë të paligjshme dhe çdo veprim tjetër është i paligjshëm. Përse, nuk e dinte prokuroria se për kë po hetonte? Të gjitha veprimet e prokurorisë tregojnë qartë se prokuroria e dinte shumë mirë se për kë po hetonte. Por prokuroria kishte marrë një detyrë që këtë çështje ta lidhte patjetër me 8 majin, për këtë i duhej afati 9 shkurt-9 maj.
E dyta, provë tjetër, prokuroria edhe pse kishte 4-5 muaj që po merrej me këtë çështje kishte të gjithë bashkëpunimin dhe vullnetin tonë për ta zbardhur këtë çështje dhe i kemi dhënë të gjithë ndihmën dhe asistencën juridike që të mos bënte këto gabime dhe veprime të paligjshme që i bëri me qëllim, sepse i përsëriti 3 herë, nuk është se ndodhi vetëm një herë, sërish prokuroria nuk gjeti kohë për t’i përfunduar hetimet më përpara, por kërkoi që vetëm ditën e parafundit të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, të thërriste Ilir Metën për t’i komunikuar se ai ishte marrë i pandehur me akuzën e kësaj apo asaj e përralla të tjera vetëm e vetëm për të bërë shoë mediatik ditën e fundit të fushatës së zgjedhjeve lokale. Çfarë provash të tjera kërkojmë? Të gjitha konstatimet e bëra nga ana e avokatëve qëndrojnë. Edhe me pyetjen që bëri dikush lidhur me marrjen si dëshmitar të përgjuesit tim, absolutisht që me vendimet e fundit të gjykatës, që është shtyrë nga motive shumë të drejta që ne i përshëndesim, jo thjesht për t’u kapur në mënyrë strikte pas diçkaje por për të krijuar mundësinë e një gjykimi sa më të plotë dhe kjo është ajo që ne kemi kërkuar dhe e vlerësojmë shumë. Por personi në fjalë është i pavlefshëm si dëshmitar. Pse? Sepse çështja e tij me çështjen për të cilën akuzohem unë janë çështje të lidhura, por natyrisht në rast se gjykata në mënyrë strikte do ta përjashtonte fare si dëshmitar, atëherë nuk do të kishim më çështje. Sepse prova nuk kemi duke qenë se janë rrëzuar të gjitha si të pavlefshme dhe të paligjshme, dëshmitarë fare nuk kemi, kështu që ne e kuptojmë edhe këtë vendim. Fakti që gjykata ka marrë vendim për të administruar edhe me kërkesën tonë videoregjistrimin e bërë nga përgjuesi im për veten e tij tregon shumë qartë se këto janë çështje të lidhura. Ashtu sikurse ai vetë ka bërë deklaratën kur i kanë hequr imunitetin që e ka regjistruar veten duke marrë 70 mijë euro për të provuar presionet që i bënte Ilir Meta për korrupsion. Kështu që ne e përshëndesim vendimin e trupit gjykues për ta administruar këtë provë, e cila është e vetmja origjinale, që e ka dorëzuar vetë dhe është në filmimin origjinal, në mënyrë që gjykata, prokurori edhe ju që do të jeni atje në sallë, të shikoni kur ajo të transmetohet se çfarë presioni i ka bërë Ilir Meta këtij që të marrë 70 mijë euro, siç thotë relacioni i prokurorisë me kërkesën e heqjes së imunitetit të tij. Kjo tregon shumë qartë se kjo është një çështje e lidhur, por kuptohet nëse gjykata do të thoshte se edhe ky nuk vjen si dëshmitar, ekspertizat janë rrëzuar se janë në kundërshtim me ligjin, atëherë çfarë procesi do të kishim. Unë asnjëherë nuk jam marrë me gjykatat edhe nuk mund të merrem me gjykatat edhe kur ato japin vendime të padrejta. Në këtë drejtim unë dua t’i ngjaj Al Gorit, të jeni të sigurt. Por kini parasysh se unë jam plotësisht i bindur në të gjitha ato të vërtetë që unë kam thënë nga fillimi e deri tani, së dyti të jeni të sigurt ju se ka edhe gjykatë europiane, kështu që unë do të respektoj vendimin e gjykatës cilido të jetë ai. Unë do të marr pjesë në çdo seancë gjyqësore nga fillimi e deri në fund dhe do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve që do të kenë gjykatësit në respekt të ligjit sikurse kam vepruar edhe prokurorinë. Kam qenë një i pandehur shembullor, sepse të shkosh në prokurori e të kërkosh të bashkëpunosh, ndërkohë që prokuroria i shmanget bashkëpunimit për detyrën e saj, kjo është një gjë e tmerrshme. Zakonisht janë të pandehurit ata që i shmangen prokurorisë. Në rastin tim dhe të avokatëve të mi, ishte prokuroria ajo që na shmangej ne. Janë raste të rralla kur prokuroria shkon në drejtim të paditur ose që dihet tashmë botërisht në drejtime të paligjshme. Ju ftoj t’i ndiqni të gjitha seancat gjyqësore dhe do të jem shumë aktiv gjatë seancave ashtu si edhe pas tyre për të gjithë interesin që ju do të keni.