E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekonspirohet aksioni policor, plagosen dy oficerë të policisë

Nga Bledar Lumani

Dekonspirimi i një aksioni të policisë së Shkodrës për goditjen e trafikut të lëndëve narkotike ka shkaktuar një luftë të vërtetë me armë mes katër të dyshuarve dhe oficerëve të policisë. Si pasojë e kësaj, dy punonjës të policisë kanë mbetur të plagosur, ndërkohë që janë arrestuar të dyshuarit për trafik të lëndëve narkotike, të cilët tashmë do të procedohen penalisht dhe për tentativë vrasjeje. Oficerët e policisë së plagosur janë Erdit Rreçeku dhe Ilmi Gjona, ndërsa katër të prangosurit janë Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj, Mondi Vuçaj dhe Gjergj Marvukaj. Prokuroria bëri të ditur se operacioni është kryer gjatë mbrëmjes së të enjtes, ndërkohë që po hetohet për gjetjen e personave që dekonspiruan aksionin, gjë që vuri në rrezik edhe jetën e punonjësve të policisë. Burime pranë organit të akuzës thanë se dyshohet që dekonspiruesi të jetë pikërisht nga radhët e policisë, megjithëse për këtë priten përfundimet e hetimeve.

Aksioni

Oficerët e policisë kanë ndërmarrë gjatë mbrëmjes së të enjtes një aksion me qëllim prangosjen e disa të dyshuarve për përfshirjen në trafikun e lëndëve narkotike. “Efektivat e Drejtorisë Policisë Shkodër kanë organizuar shërbime policore (grackë), në aksin rrugor të fshatrave Vuçaj-Bratosh, pas informacioneve të marra se, Gjergj Marvukaj (person në kërkim për veprën penale të plagosjes), dhe Sabah Vuçaj, transportonin të armatosur lëndë narkotike. Me qëllim kapjen në flagrancë të këtyre personave dhe në zbatim të plan-operacionit, punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Pëllumb Shpati, Kreshnik Gjeçka, Besnik Shima dhe Ilmi Gjona, kanë organizuar shërbime-grackë, duke u pozicionuar në anë të rrugës të fshatit, me qëllim kapjen e këtyre personave”, - bëri të ditur dje kreu i prokurorisë së Shkodrës, Përparim Kulluri. Sipas burimeve të policisë, grupi i përbërë nga punonjësit e policisë Pëllumb Shpati dhe Kreshnik Gjeçka janë pozicionuar në fund të fshatit Vuçaj, me detyrë konstatimin e mbajtjen nën vëzhgim të lëvizjeve të personave e mjeteve që lëviznin. Ndërkohë, punonjësit e policisë Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Besnik Shima, Ilmi Gjona, janë pozicionuar në të dy anët e rrugës automobilistike, afër fshatit Vuçaj. Rreth orës 22.00, përgjatë rrugës së fshatit, ka kaluar një person, i cili mbante në dorë një thes ngjyrë gri, duke vazhduar rrugën Vuçaj-Zagorë. Burimet e mësipërme thanë se punonjësit e policisë Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona kanë ndjekur në këmbë të dyshuarin, pas konstatimit të faktit së ky person mbante në dorë një thes, i cili dyshohej se mund të ishte me lëndë narkotike. Pas rreth 50 metra nga vendi i shërbimit-grackë, punonjësit e policisë, Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona, kanë ndeshur në anë të rrugës një person, i cili në njërën dorë mbante një thes ngjyrë të errët. Në këtë kohë, ata i janë afruar në distancë prej 2 metrash, dukë i bërë thirrje “Policia!”. Pas kësaj, i dyshuari iu ka drejtuar një armë zjarri automatik, duke qëlluar në drejtim të tyre me breshëri. Mësohet se punonjësi i policisë, Erdit Rreçeku, ka arritur t’ia shmangë drejtimin e armës, duke u përleshur më të. Në këtë kohë, punonjësi i policisë, Ilmi Gjona, i ka shkuar në ndihmë kolegut të tij, duke i bërë thirrje sërish “Mos lëviz, policia!”. Por pavarësisht kësaj, i dyshuari ka kundërshtuar më forcë, duke mos e lëshuar armën nga dora dhe njëkohësisht duke qëlluar.

Prangosja

Përleshja e oficerëve të policisë, me qëllim neutralizimin e të dyshuarit, ka vazhduar disa metra në anën e poshtme të rrugës, ku vendi ishte me gurë dhe shkurre. Punonjësit e policisë kanë arritur t’ia heqin armën nga dora më ndihmën e punonjësve të tjerë, teksa, pasi i është hequr arma nga dora, i është bërë përsëri thirrje “Policia, mos lëviz!” Sipas policisë, i dyshuari përsëri ka kundërshtuar me forcë, duke goditur punonjësit e policisë me grushte dhe duke kafshuar me dhëmbë punonjësin e policisë, Ilmi Gjona. Gjatë momentit që punonjësit e policisë po përpiqeshin për neutralizimin e këtij personi, dy persona të tjerë të armatosur me armë zjarri automatike, kanë qëlluar në drejtim të tyre për të shpëtuar shokun e tyre. Në këtë moment, punonjësit e policisë u kanë bërë thirrje “Jemi policia, mos qëlloni!” Por ata kanë vazhduar të qëllojnë përsëri me armë zjarri automatike. Në këtë kohë, punonjësit e policisë, Sejfulla Metko e Ilmi Gjona, kanë arritur që në befasi, në përleshje trup më trup, t’u heqin armët nga dora këtyre personave.

Pas arrestimit, policia bëri të ditur se mundi që të identifikojë katër të dyshuarit, Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj, Mondi Vuçaj dhe Gjergj Marvukaj. Si rezultat i kësaj përleshjeje, mësohet se janë dëmtuar punonjësit e policisë Erdit Rreçeku, Ilmi Gjona, ku dhe këta kanë marrë ndihmën mjekësore. Përveç tyre ka mbetur i plagosur dhe një prej agresorëve, Sabah Vuçaj, i cili është dërguar për t’i dhënë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal në Shkodër. Policia bëri të ditur se Sabah Vuçaj është arrestuar në flagrancë me lëndën narkotike prej 7 kg e 700 gramësh marijuanë, si dhe një automatik me dy krehra me fishekë. Ndërsa të prangosurve të tjerë, Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj, iu është sekuestruar një automatik model 56 me një karikator me 4 fishekë, një armë zjarri automatike model 63 dhe një karikator më 18 fishekë. Tashmë, katër të prangosurit pritet që të procedohen penalisht për trafik të lëndëve narkotike dhe tentativë vrasjeje të punonjësve të policisë. Sakaq, burime pranë prokurorisë bënë të ditur se janë duke hetuar për personat përgjegjës për dekonspirimin e aksionit policor. Mendohet që personat dekonspirues të jenë pikërisht nga radhët e uniformave blu, megjithëse kjo pritet që të mësohet në ditët në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›