“Të prekurit” e lustracionit mbrojnë Bashën. Në vitin 2005 vendosën ndryshe për të njëjtën kërkesë
Gjykata e Lartë vendosi dje të mos hapë procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit, Lulzim Basha, për abuzime në rrugën Durrës-Kukës.
Shkak kanë qenë veprimet e prokurorisë pas mbylljes së hetimeve më 6 nëntor 2008, të cilat janë cilësuar si të paligjshme nga ana e kësaj gjykate.
Kështu ka marrë fund e gjithë odiseja e gjyqeve për procedurat që janë ndjekur për të dërguar dosjen e abuzimeve me ndërtimin e kësaj rruge në gjykatë, por nuk ka marrë fund hetimi.
Prokuroria ka deklaruar se do të vijojë sërish me këtë dosje, duke e nisur atë nga e para. Në këtë mënyrë, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, ka fituar kohë, por nuk ka arritur të vërtetojë pafajësinë e akuzave të ngritura ndaj tij.
Precedenti
Kolegji Penal pushoi çështjen me vendim të formës së prerë duke argumentuar me termin “pavlefshmëri absolute” edhe dërgimin e kërkesës për gjykim në Gjykatën e Lartë.
Vendimi vijon më tej edhe me pavlefshmëri të dërgimit të fletëthirrjes nga ana e prokurorëve ndaj Lulzim Bashës. Kolegji madje deklaroi se ish- ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, i është shkelur e drejta kushtetuese për t’u njohur me aktet, duke e penguar atë që të përgatitej për t’u mbrojtur. Gjykata pohoi se gjen të pajustifikuar vakuumin e kohës prej gati një viti, gjatë të cilit prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit dhe më pas njoftoi akuzën.
Por, ndërsa kjo çështje është mbyllur në këtë mënyrë, pa u dhënë drejtësi për abuzimet e mëdha, kjo gjykatë, për të njëjtën pretendim për shkelje të afateve hetimore ka dhënë një tjetër vendim.
Në trupën që ka dhënë vendimin precedent kanë qenë dy gjyqtarë të Kolegjit që gjykuan dhe Bashën.
Bëhet fjalë për një vendim nr. 536, datë 13.07.2005 i kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në përbërje të të cilit ishin dhe dy gjykatësit që shqyrtuan “Bashën”, Spiro Spiro dhe Besnik Imeraj.
Avokatët mbrojtës të një të akuzuari për armëmbajtje pa leje dhe lëndësh narkotike kanë kërkuar që të quajnë të pavlefshme veprimet e prokurorisë, të bëra pas mbylljes së afatit hetimor.
Vendimi i gjykatësve ka qenë krejt i kundërt nga ai që kanë dhënë për Bashën.
“Nuk përbën shkak ligjor për cenimin e vendimeve gjyqësore nga ky Kolegj, pretendimi i mbrojtjes se organi i procedimit e ka mbajtur çështjen në hetim për 6 muaj pa zgjatje afati, ndërkohë që afati ligjor sipas nenit 323/1 të K. Pr. Penale është tre muaj.
Është e vërtetë që disa prej veprimeve hetimore në këtë çështje janë kryer pas mbarimit të afatit të hetimit, siç janë vendimi i marrjes si të pandehur, vendimi i dërgimit të çështjes për gjykim dhe kërkesa për gjykim, që mbajnë datat 1, 4 dhe 05.09.2003. Këto veprime procedurale në kuptim të kërkesave të nenit 324/4 të K. Pr. Penale nuk mund të trajtohen si veprimet e tjera hetimore, sikurse janë marrja dijeni për veprën penale, sigurimi i burimit të provave, të cilat nuk mund të përdoren, nëse janë kryer pas mbarimit të afatit, pasi ato i përsërit vetë gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor”, - thuhet në vendimin e tyre.
Reagimi
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka reaguar pas vendimit, duke deklaruar se mori fund një komplot politik.
“Gjykata e Lartë me vendim të formës së prerë pushoi çështjen penale dhe konstatoi se Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një procesi të parregullt ligjor shkeli me dashje Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë.
Sot mori përgjigjen e merituar nga drejtësia shqiptare komploti politik antishqiptar kundër rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë.
Fundi i këtij komploti politik është një lajm i mirë, që gëzon anembanë të gjithë shqiptarët, që presin me padurim të hapin së bashku me tunelin e Kalimashit një kapitull të ri dhe të ndritur të historisë sonë kombëtare.
Sot është dita e kukuvajkës për Edi Ramën dhe të gjithë ata që investuan për dy vjet me radhë për përbaltjen e këtij projekti dhe krenarisë legjitime të shqiptarëve për të.
Lutem që Zoti t’i falë, pasi kam bindjen se, as shqiptarët dhe as historia nuk do t’ia falin kurrë”, - tha Basha.
Pjesë nga vendimi nr. 536, datë 13.07.2005 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
Nuk përbën shkak ligjor për cenimin e vendimeve gjyqësore nga ky Kolegj, pretendimi i mbrojtjes se organi i procedimit e ka mbajtur çështjen në hetim për 6 muaj pa zgjatje afati, ndërkohë që afati ligjor sipas nenit 323/1 të K. Pr. Penale është tre muaj.
Është e vërtetë që disa prej veprimeve hetimore në këtë çështje janë kryer pas mbarimit të afatit të hetimit, siç janë vendimi i marrjes si të pandehur, vendimi i dërgimit të çështjes për gjykim dhe kërkesa për gjykim, që mbajnë datat 1, 4 dhe 05.09.2003. Këto veprime procedurale në kuptim të kërkesave të nenit 324/4 të K. Pr. Penale nuk mund të trajtohen si veprimet e tjera hetimore, sikurse janë marrja dijeni për veprën penale, sigurimi i burimit të provave, të cilat nuk mund të përdoren, nëse janë kryer pas mbarimit të afatit, pasi ato i përsërit vetë gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor
Kolegji:
Kristaq Ngjela
Kryesues
Vladimir Bineri
Anëtar
Spiro Spiro
Anëtar
Besnik Imeraj
Anëtar
Ylvi Myrtja
Anëtar