E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria replikon me Nishanin për të kërkuarit ndërkombëtarë

Ina Rama - Bujar Nishani

Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar ndaj Ministrit të Brendshëm. Bujar Nishani, duke reaguar pas arrestimit të Fatmir Kajollit, është shprehur se Policia e Shtetit nuk ka disa emra të cilët janë në kërkim ndërkombëtar pasi i janë adresuar prokurorisë.

Ka një numër personash të kërkuar nga drejtësia italiane, por nuk është në dorë të Policisë së Shtetit që të kryejë arrestimet, pasi ka një listë që i është adresuar prokurorisë dhe ajo, pasi ekzaminon të gjitha materialet, i jep urdhrin policisë për të vepruar, tha Nishani.

Prokuroria ka sqaruar se polica e shtetit ka kompetencën e plotë për të arrestuar personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në reagimin e prokurorisë theksohet se personat që janë në kërkim ndërkombëtar shpallen si të tillë nga Zyrat Kombëtare të Interpolit të çdo vendi. Zyra kombëtare e Interpolit Tiranë, e cila është pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit shqiptar, disponon për pasojë në lista të plota dhe të detajuara, të gjithë emrat e personave në kërkim ndërkombëtar.

Kurse lidhur me arrestimin e Kajollit, disa vite pasi gjykatat italiane e kishin shpallur fajtor, Nishani u shpreh se policia ka kryer arrestimin vetëm tani për shkak se mes dy vende nuk kishte marrëveshje për ekstradimet.

Edhe për këtë prokuroria ka sqaruar se Kajolli, është në listën e personave të shumëkërkuar ndërkombëtar, pas vendimeve gjyqësore që ka marrë drejtësia italiane për vepra penale të kryera në këtë vend që do të thotë se ka qenë në kërkim që prej vitit 2002. /F.Stafa/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›