Krimet e Rënda, pafajësi për Artan Pjetrin, akuzuar për vjedhje
24/12/2004 TIRANË – Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar të gjitha provat e paraqitura nga akuza kundër të pandehurit Artan Pjetri, akuzuar për veprën penale të vjedhjes së mbetur në tentativë. Prokuroria kërkoi dënimin e Pjetrit me 11 vite burg, ndërsa mbrojtja që në fillim pretendonte për pafajësi. Duket se gjykata ka hetuar me vëmendje çështjen gjatë gjykimit dhe dje vendosi të japë pafajësi për Artan Pjetrin, duke urdhëruar lirimin nga salla e gjyqit. Në seancën e parë gjyqësore, Artan Pjetri erdhi në sallën e gjyqit me hundën të fashuar. Familjarët bënë fajtorë për këtë keqtrajtim policinë e komisariatit të Durrësit. Ndërsa kryetari i seancës, Sandër Simoni, kërkoi shpjegime nga policia për këtë fakt. Për të dëshmuar kundër të pandehurit para gjykatës, akuza solli disa punonjës policie. U akuzua për disa vjedhje në Durrës. Dy policët që erdhën në seancën gjyqësore kundër tij për të dëshmuar treguan se si arritën të shkonin deri në shtëpinë e Pjetrit, njeriut që njihej në këtë qytet për dhjetëra vjedhje. Sipas policit Edmond Meta, Artan Pjetri, më 20 shkurt 2004, kishte grabitur banesën e shtetasit Alush Aga dhe më pas e ka plagosur atë. Ndërsa dy javë para kësaj date, i pandehuri, tha polici, kishte grabitur motorin e shtetasit Ilir Shota. Dëshmitarët thanë se kanë hyrë në banesën e të pandehurit, pas një informacioni të marrë në rrugë operative. Kur kanë shkuar atje, nëna e të pandehurit i ka gënjyer, duke thënë se Artani ishte larguar në Itali që prej dy ditësh. Por ndryshe nga sa dëshmuan policët, deklaroi dje gjykata me vendim. Sipas saj, prokuroria nuk ka paraqitur prova bindëse për të deklaruar fajtor Artan Pjetrin, ndërsa policia ka përdorur dhunë fizike ndaj tij në kohën kur ishte në dhomat e komisariatit.