E Hënë, 2 Nëntor 2026

Policët tani do të kenë sindikatë

24/12/2004  Zhvillohet në Pallatin e Kongreseve analiza një-vjeçare e punës së Ministrisë së Rendit. Veç kryetarit të Komisionit të Rendit dhe SHISH-it, Neritan Ceka, ministrit Igli Toska, ishte i pranishëm dhe vetë shefi i Qeverisë, Fatos Nano.

Sindikata

Policia e Shtetit do të ketë tash e tutje një sindikatë. Ky fakt u deklarua gjatë fjalës që mbajti kreu i dikasterit blu. Igli Toska theksoi ndër të tjera se, ky element do t'i japë pasqyrën e qartë të së ardhmes së policisë. Sipas tij, deklarata evropiana dhe konventa të ndryshme për këtë strukturë të rendit detyron dhe lejon uniformat blu që të formojnë një shoqatë apo federatë të tyre. "Këtu kam parasysh formimin e një organizmi shumë të përgjegjshëm, i cili do të jetë dobiprurës për anëtarët e vet, por, gjithashtu do të shtojë dimension të ri në zhvillimin dhe menaxhimin e policisë shqiptare", u shpreh Toska. Më tej, ai saktësoi se kishte si synim ta përfshinte këtë risi në ligjin për "Policinë e Shtetit".

Korrupsioni

Ministri i Rendit deklaroi se, lufta ndaj korrupsionit mund të konsiderohet tashmë e fituar. Toska përmendi si suksese ristrukturimin e policisë dhe operacionet me emrat e koduara "Liqeni", "Rrjeta e hekurt", "Kompas", "Mirazh" apo së fundi aksionin për kapjen e trafikantëve të raketave. Kreu i dikasterit blu, theksoi se puna e policisë ishte e lavdërueshme gjatë masave të marra për zhvillimin e Lojërave Olimpike dhe gjatë protestave të opozitës në sheshet e qytetit. Pas Toskës e mori fjalën kreu i Komisionit parlamentar të Rendit dhe SHISH-it. Neritan Ceka deklaroi se viti 2004 ka qenë viti më i suksesshëm, gjatë të cilit janë sekuestruar 220 kg heroinë, shifër e konsiderueshme po të krahasohet me vitin 2001, ku shënohen vetëm 4,5 kg. Ceka deklaroi se me 5000 policë më pak se në vitin 1997, Shqipëria po bëhet një nga vendet më të sigurta. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, bëri një rezume të punës së uniformave gjatë vitit që po lemë pas. Bajram Ibraj nuk la pa përmendur dhe shifrat përkatëse për çdo rast, duke e ilustruar me operacionet e kryera nga uniformat blu që ai drejton. Në fund të fjalës, ai përcaktoi dhe objektivat e Policisë së Shtetit për vitin që po troket.

Nano: Mos u bëni garipa

Kryeministri i Shqipërisë e konsideroi të suksesshme punën e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2005. Ai e motivoi pjesëmarrjen e tij në analizën e Ministrisë së Rendit, duke u nisur pikërisht nga ky fakt. Fatos Nano tha në fjalën e tij se reforma ----nistore e Toskës për "rend brenda rendit", ishte shumë efikase dhe largoi njëherë e mirë nga radhët e bluve uniformat e korruptuara. "Shqipërisë nuk i duhen individë të fortë, cuba e garipa, por një polici e fortë institucionalisht për të përballuar sfidat", theksoi ndër të tjera kreu i qeverisë. Më tej, ai kërkoi që rastet e brutalitetit të sjelljes së policëve ndaj komunitetit të mos tolerohen. Këta punonjës policie të largohen, të zëvendësohen me individë të tjerë. Nano përmendi si sukses të policisë shqiptare dhe zhdukjen e trafikut klandestin me anë të detit Adriatik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›