E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria të hetojë Panajot Barkën

08/07/2011  Gjykata e Apelit jep miratimin

GJIROKASTËR - Gjykata e Apelit Gjirokastër ka rrëzuar dje kërkesën e ish-deputetit të OMONIA-s, në vitin 1991-1992, njëherazi ish-pedagogut të departamentit të greqishtes, Panajot Barka, duke i dhënë të drejtën universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, përfaqësuar nga rektori prof. asoc. Gëzim Sala, për pushimin e tij nga puna për falsifikim të dy dokumenteve zyrtare. Trupi gjykues, i përbërë nga tre anëtarë, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, për pezullimin e çështjes civile me motivacion se “z. Barka është personi nën hetim nga organi i akuzës”. Burime zyrtare nga Gjykata e Apelit Gjirokastrës, pohuan për gazetën “Metropol”, se vendimi i marrë dje, i jep të drejtë institucionit të akuzës të vazhdojë më tej hetimet penale për falsifikim të dokumenteve zyrtare, që janë depozituar në Greqi me emër të rektorit dhe, që personi i dyshuar nga universiteti “Eqrem Çabej” për hartimin e tyre mendohet të jetë Panajot Barka. “Z. Barka kishte paditur Universitetin e Gjirokastrës për “pavlefshmërinë absolute të aktit administrativ, vendimit nr. 7, dt. 21 janar 2001, për zgjidhjen e kontratës së punës ndaj tij, por të dyja shkallët e gjyqësorit e pezulluan çështjen civile, deri në shqyrtimin e çështjes penale nga organi i akuzës”, shprehet Klodian Micka, juristi i Universitetit i Gjirokastrës.

Gjashtë muaj më parë, Universiteti i Gjirokastrës është tërhequr zyrtarisht nga projekti "Metodë për të mësuar me lehtësi greqishten, krijim dhe botim", për shkak të mungesës së informacionit, si dhe abuzimeve që janë kryer gjatë draft projektit. Dy dokumente të falsifikuar janë firmosur dhe vulosur në mars të vitit 2010, pa praninë e përfaqësuesit ligjor. Lidhur me këtë problem, në fillim të muaj shkurt Universiteti i Gjirokastrës ka paditur penalisht ish-deputetin e OMONIA-s, Panajot Barka, për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Lidhur me këtë kallëzim të institucionit më të rëndësishëm arsimor në jug të vendit, Prokuroria e Gjirokastrës ka regjistruar procedimin penale nr. 42, ndërsa universiteti ka vënë në dispozicion të hetimeve 14 dokumentet si prova materiale. T. Skuqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›