E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria të konfiskonte kartat që nxori Ruçi

Deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima, analizon situatën ekonomike dhe atë politike në vend “E vetmja mundësi është që vetë ekspozuesi të jetë edhe porositësi i tyre”

Proceset integruese të vendit do të vazhdojnë me ritmin e reformave të qeverisë dhe jo me ahengun dhe ëndrrat destabilizuese të minorancës. Ky është konstatimi që bën deputeti i Partisë Demokratike, Florjon Mima, gjatë një interviste për “Shqip”. Teksa analizon situatën aktuale politike, Mima thotë se kutitë e votimit janë një pretekst dhe besoj se z.Rama as që e ka mendjen tek ato. Duke iu referuar momentit kur kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, nxori para medias kartat e identitetit, nën pretendimin se janë të falsifikuara, Mima vlerëson se “prokuroria e trupat e tjerë ligjzbatues në Shqipëri duhet me urgjencë të kishin ndërhyrë për konfiskimin e atyre plastikave që ekspozoi z.Ruçi në Parlament, pasi ishin një provë krimi dhe si të tilla ato duhet të trajtoheshin njëlloj si arma e një krimineli”. Në çdo rrethanë, vijon ai, e vetmja mundësi është që vetë ekspozuesi i tyre të jetë edhe porositësi i tyre. Në intervistën për “Shqip”, Mima ndalet edhe te situata ekonomike në vend dhe ndikimi i mundshëm i krizës ekonomike greke te vendi ynë. Në një plan më afatgjatë, Mima ndjehet optimist se ekonomia shqiptare do të rritet e shëndetshme dhe e qëndrueshme për të paktën 25-30 vitet e ardhshme.

Javët e fundit është folur shumë në lidhje me një efekt të mundshëm të krizës ekonomike që po kalon Greqia në vendin tonë. A parashikoni efekte negative ekonomike edhe në Shqipëri?

Kriza në Greqi është krizë e shtetit, e financave publike të tij dhe mesa duket nuk është, të paktën deri tani, krizë e ekonomisë greke. Por, pashmangshmërisht ajo do të ravijëzohet edhe si një krizë e përgjithshme e ekonomisë, pasi shteti si blerësi më i madh nuk do mund të likuidojë dot faturat e mallrave e shërbimeve që blen, nuk do mund të emetojë dot tituj borxhi të thesarit për shkak të shkallës së ulët të besimit që ai gëzon ndër financuesit e brendshëm e të huaj, çka do të thotë se bankat greke do të vihen në vështirësi për të investuar paratë e mbledhura nga depozitat, populli do të vihet në vështirësi për të marrë interesat e premtuara e kështu me radhë. Sa më shpejt të ndërhyhet për të shpëtuar shtetin grek, aq më i lehtë do të jetë përkthimi i kësaj krize shtetërore në ekonominë dhe jetën e njerëzve të thjeshtë. Priten shkurtime masive nga puna në sektorin buxhetor, por duke qenë se shqiptarët që punojnë atje nuk janë pjesë e kësaj armate të stërmadhe buxhetorësh, nuk do të kenë impakt direkt. Gjithsesi, nëse punëdhënësit e shqiptarëve vihen në vështirësi për të marrë paratë e mallrave e shërbimeve që i shesin shtetit, apo nuk do të arrijnë t’ia shesin me aq lehtësisht shtetit grek, kuptohet që edhe vëllezërit tanë atje do të vihen në vështirësi. Mundet që një pjesë e madhe e tyre të transferojnë kursimet që kanë atje drejt Shqipërisë dhe të fillojnë një aktivitet tregtar fitimprurës këtu, pasi terreni tregtar, rregullator e fiskal është tejet i favorshëm për ta. Për sa u përket raporteve tregtare, gjykoj se eksportuesit grekë do të vazhdojnë të eksportojnë në Shqipëri, madje duke qenë në kushte krize, do ta quajnë fat të madh që mund të mbajnë në punë ndërmarrjet e tyre dhe mundet që importuesit shqiptarë të kapin çmime më të mira e me leverdi më të madhe për ta dhe për blerësit fundorë shqiptarë në Shqipëri. Mundet që në Shqipëri të lulëzojnë firma, aktivitete, profesione, shërbime etj., të cilat acari i krizës greke mund t’i ngrijë e t’i thajë atje, kështu që unë nuk jam pesimist për ndonjë impakt direkt të kësaj krize në vendin tonë.

Dy ditë më parë, Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare parashikoi se viti 2010 do të jetë për ekonominë shqiptare më i vështirë se ai që lamë pas. Si e gjykoni këtë parashikim?

Nuk e kam parë raportin dhe më duhet ta analizoj në detaje përpara se ta komentoj atë, gjithsesi nga takimet që kemi pasur edhe me misionin e FMN-së në konsultat sipas artikullit 4, nuk më rezulton një gjë e tillë. Në të kundërt, ekonomia jonë, sidomos në këto dy muaj të parë të vitit, po ecën tejet mirë dhe kam bindje se e tillë do të vazhdojë deri në fund të vitit. Në një plan më afatgjatë jam shumë optimist se ajo do të rritet e shëndetshme dhe e qëndrueshme për të paktën 25-30 vitet e ardhshme.

Institucione të tjera ndërkombëtare kanë rekomanduar që qeveria shqiptare të bëjë kujdes me shpenzimet e saj. Sa do të ndikojë kjo në të ardhurat e buxhetorëve dhe tek investimet?

Besoj se, pasi ka përfunduar pjesën më të madhe të reformës së të ardhurave publike, përpjekjet më të thella reformuese Shqipëria do të duhet t’i fokusojë në krahun e shpenzimeve, sidomos për të reformuar sistemet pensionale, ato të mbrojtjes sociale, të sigurimeve shëndetësore, kontrollin më të mirë në drejtim të shpenzimeve operative e të mirëmbajtjes etj. Vetë nuk jam partizan i deficiteve tejet të ulëta, në të kundërt mendoj se të gjithë, madje edhe brezat që vijnë, do të duhet të paguajnë për borxhet që baballarët e tyre marrin sot për rrugët e autostradat ku do të kalojnë edhe ata vetë nesër, kështu që do duhet që edhe të paguajnë e jo vetëm t’i shijojnë ato. Pra, nëse kostoja ndahet në disa breza, gjykoj se Shqipëria nuk ka nevojë të shkurtojë në mënyrë drastike shpenzimet apo edhe deficitin. Stoku ynë i borxhit është brenda limitit ligjor dhe lehtësisht i përballueshëm sot, por edhe në të ardhmen e afërt.

Duke pasur parasysh çmimet e reja të energjisë elektrike dhe ankesat e shumta që qytetarët kanë pasur, a është e nevojshme që të rishikohet nga qeveria masa e subvencionimit?

Besoj se qeveria ka treguar dhe do të vazhdojë të tregojë të gjithë dhembshurinë ndaj grupeve në nevojë për solidaritet social. Reforma e thellë pensionale, ajo e ndihmës ekonomike, reformat e tregut të punës dhe politikat subvencionuese ndaj çmimeve të rritura të disa mallrave të caktuara do të vazhdojnë të thellohen jo vetëm se janë gjëja e drejtë dhe e duhur për t’u bërë, por edhe sepse për këto politika ndahet mendim i përbashkët edhe me forcën tjetër të mazhorancës, e cila duke qenë forcë e qendrës së majtë, ka dhembshuri për solidaritet social për grupet me vulnerabil të shoqërisë.

Lidhur po me këtë çështje, në komisionin e ekonomisë është diskutuar rishikimi i skemës ekonomike, ku konsistojnë ndryshimet që priten...

Në komisionin e ekonomisë ende nuk ka mbërritur projektligji për ndihmën ekonomike, i cili është në fazën e miratimit të tij në ekzekutiv, kështu që nuk mund ta komentoj atë në detaje. Por duke qenë se kam qenë i ftuar të ndjek përgatitjen e tij, mund të them se thelbi reformues i tij qëndron në atë që ndihmën ekonomike nuk do mund ta përfitosh pa përmbushur një sërë kushtesh, si përfshirja në punë publike a punë komunitare; atë nuk do mund ta shijojnë ata që sot shëtisin me “Benz”, apo shohin programe televizive me pagesë. Ajo mund të përfitohet vetëm nga ata që vërtet e meritojnë atë, në një larushi formash, në cash, në natyrë, me punë të përkohshme komunitare etj. Numrat personalë të identifikimit do të bëjnë të mundur aplikimin e teknologjive moderne për të ekskluduar automatikisht përfituesit e paligjshëm të cilët ndër të tjera kanë përfituar edhe për shkak të pamundësisë së shtetit për të bërë kryqëzime me database të tjerë si ai i të vetëpunësuarve, i të punësuarve, i përfituesve të interesave nga bankat etj.

Si e shikoni situatën politike në vendin tonë dhe qëndrimin e opozitës për të vijuar bojkotin në rast se mazhoranca nuk plotëson kërkesat e saj për hapjen e kutive të votimit në disa zona?

Kutitë e votimit janë një pretekst dhe besoj se z.Rama as që e ka mendjen tek ato. Ai e ka kuptuar se nuk e zhbën dot diferencën e thellë në vota mes dy kampeve, ndaj e vetmja gjë që i intereson janë rrëmujat dhe kaosi. Nuk mund të jesh veçse i trishtuar nga ky lloj i të bërit opozitë nga minoranca elektorale. Aq më shumë kur sheh direkt në Parlament shfaqje të padenja të pjesëtarëve të kësaj minorance, të cilët dalin dhe hedhin në publik idera të rrezikshme për sigurinë kombëtare, shashka tymuese rreth sigurisë së sistemit të identifikimit të shtetasve e lidhur kjo drejtpërdrejt me proceset liberalizuese dhe më tej integruese të vendit. Ky është një turp kombëtar dhe mendoj se prokuroria a trupat e tjerë ligjzbatues në Shqipëri duhet me urgjencë të kishin ndërhyrë për konfiskimin e atyre plastikave që ekspozoi z.Ruçi në Parlament, pasi ishin një provë krimi dhe si të tilla ato duhet të trajtoheshin njëlloj si arma e një krimineli, pasi në çdo rrethanë, e vetmja mundësi është që vetë ekspozuesi i tyre të jetë edhe porositësi i tyre. Duke ditur se nuk kemi asnjë konfiskim karte nga komisionet zgjedhore, del se e vetmja mundësi që z.Ruçi të ketë në dorë dy apo më shumë karta identike, është që ato të jenë fabrikuar jashtë sistemit dhe prokuroria ka detyrë të gjejë se ku dhe për ç’qëllim është bërë ky fabrikim. Përsëris se ndjej vetëm neveri nga ky lloj i të bërit opozitë dhe pres me interes zhvillimet brenda PS-së, të cilat do ta kthejnë edhe atë në një forcë opozitare të vërtetë europiane.

Mendoni se ngërçi politik i shkaktuar nga mosarritja e konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës do t’i penalizojë shqiptarët në aspiratën e tyre për lëvizje të lirë dhe integrim në BE?

Jam plotësisht i bindur se proceset integruese të vendit do të vazhdojnë me ritmin e reformave të qeverisë dhe jo me ahengun dhe ëndrrat destabilizuese të minorancës. Shqiptarëve u intereson ritmi i reformave të qeverisë dhe jo ai i ahengut të opozitës. Proceset janë të pakthyeshme për fatin e madh të të gjithë shqiptarëve dhe për fatin e keq të një grushti pinjollësh të bllokut, të cilët kanë investuar për ta penguar këtë proces. Premtimi i mazhorancës do të bëhet realitet që këtë vit dhe ajo ditë feste për të gjithë besoj se do të jetë ditë zie dhe përshpirtjesh në bllokun e ri të pinjollëve të bllokut të vjetër.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›