E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria tërhiqet nga pronat e Dajtit

Hetuesit: Akuzohet për vrasjen e katër policëve dhe jo për trafiqe, pronat e tij nuk mund të sekuestrohen nga shteti


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, vendosi të mos sekuestrojë pronat e shtetasit Dritan Dajti dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij, pasi vepra penale për të cilën akuzohet nuk parashikohet në rastet kur ligji për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së ngritur në mënyrë të Paligjshme që të veprojë.


Sipas akuzës, Dajti akuzohet për "vrasje në rrethana të tjera cilësuese" ndaj dy apo më shumë personave, vepër kjo e cila nuk parashikohet në ligjin për Sekuestrimin apo Konfiskimin e Pasurisë së ngritur në mënyrë të paligjshme.


Në rast se hetohet dhe provohet se shtetasi Dritan Dajti ka kryer vepra tjera penale, si "trafik droge" apo "rrëmbim personi për arsye përfitimi" atëherë kjo pasuri verifikohet për origjinën e saj dhe mund të sekuestrohet në një proces gjyqësor.


Ndërkohë, vetëm pak ditë pas ngjarjes së shtatë gushtit ku mbetën të vrarë nga dora e Dritan Dajtit katër policët Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastrito Feskaj, prokuroria ka kërkuar verifikimin e pasurisë së tij, të dyshuar se e ka ngritur në mënyrë të paligjshme.


"Pas kontrollit të ushtruar në banesat e familjarëve të ngushtë të shtetasit Dritan Dajti, është konstatuar se ata disponojnë disa prona në kryeqytet. Për këtë qëllim, është urdhëruar verifikimi i pasurisë së tyre, sidomos për pasurinë e vendosur këto gjashtë vitet e fundit kur Dajti ndodhej në arrati.


Është kërkuar nga Zyra Qendror e Regjistrimeve të Pasurisë së Paluajtshme që të evidentojë dhe t'i vendosë në dispozicion të hetimit pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emër të familjarëve të ngushtë të Dritan Dajti apo vetë atij.


Si dhe është kërkuar nga të gjitha filialet e bankave të nivelit të parë, dytë dhe tretë në vend, që të analizojnë dhe përshkruajnë me imtësi llogaritë bankare që figurojnë të hapura në emrin e Dajtit apo familjarëve të ngushtë të tij"- thuhet nga burimet hetimore, që konstatuan se kjo pasuri nuk mund të verifikohet me tej për shkak se vepra për të cilën akuzohet Dajti nuk parashikohet në ligjin për sekuestrimin e pasurisë së ngritur.


Është konstatuar, se familja Dajti disponon dy hyrje në Tiranë, një në Durrës ku rrinte Dajti dhe tre makina, "Tuaregun" që ndodhi ngjarja, "BMË" e bashkëshortes së të dënuarit dhe një makinë të vëllait të tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›