E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stadiumi i Beratit rrezikon shembjen

I ndërtuar 24 vjet më parë ai nuk është rikonstruktuar asnjëherë. Policia bllokon tribunën qendrore, rrezik për njerëzit


BERAT- Stadiumi i qytetit të Beratit rrezikon që të shembet për shkak të amortizimit në një kohë kur pushteti vendor nuk ka asnjë fond për rikonstruksionin e tij.


Stadiumi "Tomori", një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri, ndërtuar në vitin 1985, sot ndodhet në një gjendje të mjerueshme. Madje ai reflekton edhe problemet që ka edhe ekipi i Beratit, i cili ndodhet në kategorinë e dytë.


Amfiteatri i futbollit beratas me një kapacitet prej 12 mijë e 500 vende rrezikon të shembet, për faktin që në këto 24 vjet nuk është bërë asnjë investim për ta mirëmbajtur atë.


Për momentin tribuna qendrore ka dalë jashtë funksionit dhe rrezikon të shembet. Lajmi është bërë i ditur nga specialistë të Drejtorisë së Policisë së shtetit, të cilët kanë inspektuar stadiumin në prag të ndeshjeve të kampionatit të kategorisë së dytë, që do të nisin më 20 shtator.


Nëse bashkia nuk merr masa për të bërë rikonstruksionin e tribunës qendrore dhe të mureve të stadiumit, të cilat janë dëmtuar nga erozioni, atëherë ekipi i Tomorit do të detyrohet t'i luajë ndeshjet jashtë fushës së tij, ç 'ka kundërshtohet fort nga komuniteti beratas.


E alarmuar për gjendjen, bashkia ka ngritur një grup pune ku ka përcaktuar masat konkrete për rikuperimin e situatës. Sipas nënkryetarit të bashkisë, Stavri Ceca, duhen 350 milionë lekë për të rikonstruktuar komplet ambientet e stadiumit, gjë që për momentin është e pamundur.


Edhe pse Bashkia është vënë në lëvizje, gjasat janë që Tomori këtë sezon ta luajë jashtë stadiumit të tij, dhe kjo do të jetë një tjetër goditje në dëm të futbollit beratas. Gjithsesi bashkia mjaftohet vetëm me dëshirën e mirë për të ndërhyrë, për faktin se fondet e saj nuk mjaftojnë për të kthyer stadiumin në normalitet. Nga ana tjetër policia nuk lëshon pe, për faktin se stadiumi rrezikon të marrë jetë njerëzish.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›