E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me parkinson 4% e shqiptarëve

 

Shqipëria është një vend me prevalencë të lartë për shfaqjen e sëmundjes së parkinsonit. Sipas një studimi epidemiologjik, ka rezultuar se nëse në botë prevalenca është 0.6-0.7%, në vendin tonë kjo arrin në shifrën 1.2%. “Shqipëria ka prevalencën më të lartë në Europë për moshat nga 60 deri në 69 vjeç. Në vendin tonë kjo sëmundje prek gati 4% të popullsisë”, është shprehur mjekja neurologe, dr. Mira Rakacolli, gjatë një simpoziumi mjekësor që u mbajt për evidentimin e të rejave më të fundit, numrit dhe mënyrës së trajtimit të stadeve të avancuara të sëmundjes. Sipas saj, fakti që prek më tepër moshën e tretë dhe zgjatja e jetës mesatare, bën që në vendin tonë numri i pacientëve me këtë sëmundje të vijë vazhdimisht në rritje. Sëmundja e parkinsonit është një çrregullim, origjina e të cilës mendohet të jetë mjaft komplekse. Faktorët që ndërhyjnë në gjenezën e shfaqjes së sëmundjes janë gjenetike, ambientale, biokimike. Sëmundja e parkinsonit shfaqet si pasojë e humbjes së neuroneve që prodhojnë dopaminë (që është një neurotransmetues në sistemin nervor qendror). Për mjekët trashëgimia është baza e shfaqjes, gjithsesi duhet kuptuar që i sëmuri nuk trashëgon sëmundjen, por mundësinë për t’u sëmurur kur gjen terren të përshtatshëm. Kjo sëmundje është kronike, që do të thotë se zgjat në kohë dhe fakti që është progresive do të thotë që përkeqësohet me kalimin e kohës, pavarësisht mjekimit. “Në të gjithë botën, mjekimi i përzgjedhur janë preparatet që kanë për bazë levodopen. Me këtë preparat mjekohen edhe në Shqipëri, dhe ky preparat fatmirësisht është i rimbursueshem nga shteti. Por pavarësisht trajtimit, sëmundja progredon shpesh shfaq edhe komplikacione të trajtimit. Sot medikamentet që përdoren për këtë sëmundje janë të shumta dhe disa prej të cilave të kushtueshme e nuk mund të përballohen dot nga pacientët me gjithë nevojën e përdorimit të tyre. Në shoqërinë tonë që vuan pasojat e papunësisë, të varfërisë dhe të problemeve të shumta sociale është e nevojshme që shteti dhe organizma të tjerë të ndërhyjnë, në mënyrë që pacientëve që vuajnë nga kjo sëmundje kronike t’u jepet mundësia që të rifitojnë jetën dhe dinjitetin e tyre në shoqëri dhe familje”, ka theksuar Rakacolli, presidente e shoqatës shqiptare të Neurologjisë. Në simpozium u diskutua dhe për Vertigon (e njohur në popull si marrje mendsh), ku diskutimit të mjekëve neurologë iu bashkuan dhe mjekë të Shërbimit të Otorinolargilogjisë (ORL) që theksuan nevojën për njohjen dhe diagnostikimin e saktë të shkaqeve të kësaj sindrome dhe trajtimin adekuat të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›