Tregtonin drogë, pranga Bardhoshit dhe Isajt
Artur Isaj e Fatjon Bardhoshi, të dyshuar për shpërndarje të narkotikëve. Policia sekuestron sasi të heroinës dhe Canabis sativëS
Tiranë – Tregtonin lëndë narkotike, por policia i ka vënë në pranga. Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, kanë kryer arrestimin në flagrancë të dy personave. Aksionet e uniformave blu janë realizuar falë marrjes së informacioneve dhe të dhënave për tregtimin e lëndëve narkotike. Sipas burimeve, në pranga janë vënë Artur Isaj dhe Fatjon Bardhoshi, të dyshuar për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.
Ngjarjet
Burimet zyrtare pranë uniformave blu thanë për gazetën se 45-vjeçari Isaj, banues në Tiranë, ka qenë edhe më parë i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe vjedhje. Burimet thanë se i sipërpërmenduri u kap në flagrancë rreth orës 15:30 në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në momentin që po shkëmbente një sasi pluhuri të dyshuar lëndë narkotike e llojit heroinë. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan; 14.7 gr pluhur i dyshuar narkotik i llojit heroinë, e ndarë dhe e ambalazhuar në 14 porcione, shuma prej 15700 lekësh, të fituara si rezultat i shitjes së lëndës narkotike dhe dy telefona celularë. Po kështu, arrestimi i Fatjon Bardhoshit, 23 vjeç, banues në Durrës. Ndalimi i tij u krye rreth orës 03:30 në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, ku gjatë kontrollit të ushtruar i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia prej 3 gramësh bimë e llojit Canabis sativa, një telefon celular tip “Nokia” dhe automjeti me të cilin mendohej se kryhej trafiku. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Precedentët
Më shumë se dy javë më parë agjentët antidrogë kanë zbuluar 9 pako Canabis në një trajler që shkonte nga Saranda në drejtim të Greqisë, duke u gdhirë e shtuna. Pas aksionit të koduar “Korbi”, uniformat blu kanë vënë në pranga, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, dy persona të dyshuar si poseduesit e ngarkesës së lëndës narkotike. Pas kontrollit të ushtruar në automjetin tip trajler, me targë SR 0492 B, i cili drejtohej nga shtetasi Dhimo Koraj, në gomën rezervë të këtij kamioni janë gjetur dhe u sekuestruan 10 pako të mbështjella me natriban, e dyshuar bimë narkotike e llojit Canabis sativa. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pakot të izoluara me natriban me përmbajtje të bimës së dyshuar narkotike Canabis sativa, me peshë 9.9 kg, dy telefona celular “Nokia” si dhe shuma e parave prej 340 eurosh.
Ndalohet kambisti, kryente aktivitet të palicencuar
Tiranë – Kryente kambizëm në afërsi të Bankës së Shtetit, ndalohet nga policia. Specialistët e Seksionit Kundër Pastrimit të Parave dërguan në Prokurori, për veprën penale të “ushtrimit të aktivitetit të palicencuar”, materialet në ngarkim të shtetasit Aleks Laçaj, 54 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është kapur në flagrancë përpara Bankës së Shtetit, duke ushtruar aktivitet të palicencuar.
Bie zjarr aksidental, digjen bagëtitë
Tiranë – Një zjarr aksidental ka djegur stallën e bagëtive të një shtetasi. Burimet policore thanë për gazetën se rreth orës 01:00 të dy ditëve më parë, në fshatin Sauk Poshtë, u dogj në oborrin e shtëpisë stalla e bagëtive. Nga veprimet e para procedurale rezultoi se brenda në stallë ishin djegur dy lopë, pronë e këtij shtetasi dhe se zjarri ishte aksidental. Materialet i kaluan prokurorisë.
20 Mars 2008