E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria vlerëson punën e policisë në luftën kundër krimit

Autori i Lajmit: red.
Prokurori i Krimeve të Rënda, Orsion Çela, ka vlerësuar punën e Departamentit të Hetimit të Krimit. Përfaqësuesi i akuzës është shprehur se është shumë i impresionuar nga puna e bërë gjatë këtij viti në luftën kundër krimit të organizuar. Për herë të parë po njihem me statistikat e Policisë Italiane, të cilët tregojnë se trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali është minimizuar, falë punës profesionale të specialistëve të Policisë së Shtetit. Prokurori i Krimeve të Rënda nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë të policisë me Prokurorinë që ai drejton, në luftën kundër trafikut të drogës, trafikut të armëve etj. “Duhet theksuar se bashkëpunimi Prokurori e Krimeve të Rënda - Polici ka qenë shumë i suksesshëm, duke përfunduar me sukses një numër të madh operacionesh. Ky bashkëpunim duhet të shtrihet edhe me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Ndërkohë që përdorimi me sukses i metodave speciale të hetimit tregon profesionalizmin e strukturave të policisë”, - tha Çela. Deklarata e prokurorit është bërë dje gjatë analizës vjetore të këtij sektori, ku merrnin pjesë dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimeve, Agron Kuliçaj, Prokurori i Krimeve të Rënda dhe misione që asistojnë në Policinë e Shtetit. Ndërkohë, sipas analizës, mësohet se nga ky departament gjatë vitit 2008, janë evidentuar 624 vepra penale me 587 autorë, nga të cilët 466 janë arrestuar. Mësohet se janë goditur 40 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 172 persona të proceduar.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›