E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorja malazeze kapet duke vjedhur kozmetikë

Zëvendësprokurorja e shtetit të Malit të Zi, Romina Vllahoviq është kapur të shtunën duke vjedhur kremra të shtrenjta në një shitore të kozmetikës, njofton gazeta Pobjeda e Podgoricës.

Sipas burimeve të kësaj gazete, prokurorja është kapur duke vendosur kremra të shtrenjta në paketimet e kremrave të lira, që pastaj i paguante në arkë dhe dilte nga shitorja si “blerëse e rregullt”.

Pronari dhe shitëset e “Kozmetik market” edhe më herët kishin vërejtur “tepricë” të kremrave të lira nëpër paketime të atyre shumë më të shtrenjta.

Enigma u zgjidh të shtunën, pasi stafi kishte ndërmarrë masa shtesë, në saje të të cilave prokurorja Vllahoviq është incizuar me kamerë të sigurisë duke ndërruar produktet brenda ambalazheve të tyre. Sapo u zbulua punëtori i sigurisë e ftoi policinë.

"Ekziston ende dilema se a bëhet fjalë për vjedhje apo mashtrimi. Njëra nga këto dy vepra është kryer dhe ne do të konstatojmë se cila”, tha prokurorja e Podgoricës, Lilana Klikovac.

Por, pavarësisht nga kualifikimi i veprës së kryer, nëse vepra dëshmohet, prokurorja nuk do të mund të mbetet në detyrën e tashme, shkruan gazeta./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›