E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prolog Giffoni, një takim me të rinjtë në Pogradec

Festivali

Pogradeci është qyteti turistik i radhës ku ndalon festivali “Prolog Giffoni”. Pas projeksioneve të suksesshme në qytetin e Vlorës, ky format i filmit për fëmijë e të rinj ka udhëtuar për publikun e vogël pogradecar. Projeksionit të filmave i ka paraprirë një konferencë e përbashkët shtypi e Namik Ajazit, presidentit të festivalit, dhe kryetarit të bashkisë së qytetit, Artan Shkëmbit. “Ne jemi të ndërgjegjshëm që ‘Prolog Giffoni’ është një format që u mungon fëmijëve, ashtu siç u mungon kinemaja dhe mundësia për të diskutuar mbi atë që shohin në ekranin e madh. Jemi të kënaqur që ‘Prolog Giffoni’ mbërrin për të dytin vit në qytetin tonë dhe do të donim që ky format të jetë i pranishëm edhe në të ardhmen, si një organizim që pasuron aktivitetet për fëmijë dhe të rinj që organizohen nga institucionet vendore”, është shprehur në konferencën e organizuar në bashkinë e qytetit, kryetari Artan Shkëmbi. Ndërkohë që Ajazi ka theksuar edhe njëherë qëllimin e këtij festivali për të çuar më pranë fëmijëve dhe të rinjve prodhimet më të mira kinematografike botërore të dy viteve të fundit e për t’i shfaqur ato edhe në salla kinoteatrosh apo teatrosh, në mungesë të sallave të kinemasë. Në shkallët e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, veshur me uniformat e festivalit, fëmijët kanë ndjekur me kureshtje filmat që ishin parashikuar në projeksionet e para. “Ngatërrestarja e vogël” ka qenë filmi që ka çelur projeksionet në qytetin e Pogradecit. është një histori familjare, nga ato që ndodhin në ditët tona, nga ato ku fëmijët marrin rolin e një misionari. Projeksionet do të vazhdojnë edhe sot, ndërkohë që po sot në darkë, “Prolog Giffoni” do të vazhdojë me atmosferën festive përmes organizimit të një koncerti në bashkëpunim me grupe dhe këngëtarë të qytetit.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›