Koleksioni i përhershëm, premiera që sjell mesazhe tronditëse për absurditetet e politikës
Në vijim të shfaqjeve të suksesshme që kanë ardhur në skenën e Teatrit Kombëtar pas disa ditësh pritet të ngjitet në skenën teatrore vepra Koleksioni i përhershëm. Vepra e shkruar nga dramaturgu amerikan Thomas Gibbons, do të vijë në skenën shqiptare
premierë po nga një emër tjetër i njohur, i cili karrierën e tij e ka nisur si aktor në shumë filma të njohur Hollivudianë. Regjisori Clarence Gilyard, vite më parë ka interpretuar në filma të njohur të kinematografisë botërore. Në filmat ku interpretonte dhe aktori i njohur Çak Norris, krah tij në një pjesë të mirë të këtyre pelikulave ka interpretuar edhe Clarence Gilyard. Sot, shumë vite më pas, Gilyard i është përkushtuar regjisë dhe mësimdhënies në Universitetin e Nevadës në Amerikë. Ai vjen për herë të parë në Shqipëri dhe vepra që pritet të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar, do të jetë e fundit për këtë sezon artistik. Por, përtej kësaj risie, regjisori do të interpretoje gjithashtu edhe vetë në këtë pjesë teatrore, duke u bërë i pari afro-amerikan që luan në skenën e Teatrit Kombëtar. Drama nën titullin Koleksioni i përhershëm, që mban firmën e autorit amerikan Thomas Gibbons, kasti i aktorëve përfshin emra të njohur të skenës si Tinka Kurti, Mirush Kabashi, Fatos Sela apo Ema Andrea e Esmeralda Metka. Unë do të luaj rolin kryesor e do të bëj regjinë me z. Mirush Kabashi. Gjithashtu dëshiroj të organizoj programe Masteri me aktorët e skenës si edhe të ekranit. Vizioni im për performancën mund t ë përmblidhet vetëm në një fjalë estetikë. Skenografia do të ketë një bukuri dhe një konstrukt të thjeshtë e klasik. Aksioni dramatik do të zhvillohet brenda dhe jashtë kohës dhe hapësirës. Dekori do të jetë i lehtë për tu transportuar, montuar, për ti ndryshuar skenat dhe pak i kushtueshëm. Dekori do të ndërtohet mbi parimet e artit minimalist. Shqiptarët dhe amerikanët janë të etshëm për progres. Duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të artit në zgjidhjen e konflikteve të racave dhe klasave, dua që publiku të njohë që shqiptarët dhe amerikanët luftojnë me trimëri për të mbrojtur shoqëritë e shëndosha përmes teatrit, artit, pohon ndër të tjera regjisori amerikan. Më tej në fjalën e tij ai tregon se pikërisht projekti i përbashkët shqiptaro-amerikan do të nënvizojë rolin e rëndësishëm të artit në zgjidhjen e konflikteve të dallimeve racore, klasore dhe në çdo fushë të jetës. Premiera do të vijë në skenën teatrore për publikun në datën 3 qershor, nën interpretimin e dy gjuhëve, anglisht dhe shqip. Koleksioni i përhershëm shkruar nga Thomas Gibbons është përkthyer nga Pirro Dollani. Nën regjinë e Clarence Gilyard dhe as/regjisoren Adriana Tolka në skenë pritet loja e disa pre emrave më të njohur të skenës shqiptare. Skenografia mban emrin e Bashkim Zahajt dhe kostumografia nga Edlira Qyshka
Rreth veprës teatrore Koleksioni i përhershëm
Drama e Thomas Gibbonsit Koleksioni i përhershëm ka si objekt artin. Është forca dhe roli që arti luan në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 90 minutave, që publiku është i mbërthyer në dramë, aty trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë na jepen imazhe të veprimeve në muzetë të vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës, që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose te panjohura për ta ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme. Këto opinione herë janë të shprehura e herë jo. . . Kjo dramë përdor këto imazhe, që janë kaq të njohura për ne që të na tërheq, të na i bëjë ne të këndshëm një nga demonët me të këqij të qenies njerëzore. Që të jemi vigjilente dhe të gatshëm për ta larguar shpirtin e keq të quajtur racizëm, dhe që ne e dimë që nuk ka të bëjë vetëm me ngjyrën e zezë dhe të bardhë. Marrëdhëniet dinamike të dramës dhe përplasjen e ideve të saj, me konfliktet dhe intrigat e detyrojnë audiencën moderne, që të pozicionohet në aleancat kulturore dhe konfliktet mes njerëzve.
Nga Julia Vrapi