Britania, Hague: Të përmirësohet klima politike
Në një bisedë telefonike, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, e uroi sekretarin britanik të Shtetit për çështjet e Jashtme, z. William Hague, për detyrën e re, duke shprehur besimin tek angazhimi i mëtejshëm i qeverisë britanike, si dhe te kontributi i tij personal për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kontekst, z. Meta i vlerësoi marrëdhëniet Tiranë-Londër si shumë të rëndësishme. Z. Hague, nga ana e tij, shprehu kënaqësinë për të punuar me z. Meta dhe e siguroi atë për mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në integrimin europian të Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, duke theksuar se Ballkani Perëndimor do të jetë një prioritet i rëndësishëm në politikën e jashtme britanike dhe se Konferenca e Sarajevës do të jetë një moment inkurajimi për rajonin. Z. Meta dhe z. Hague biseduan edhe mbi situatën politike në Shqipëri. Në këtë kontekst, ata ndanë dëshirën për përmirësimin e klimës së brendshme politike, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut politik në vend.
#