Promemoria e nanoistëve: Të rishikohen rezultatet e 12 majit dhe statuti
Rishikimi i statutit të PS, korrigjimi organizativ i partisë, rishikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 12 majit e të tjera pika janë kërkesat kryesore të paraqitura në promemorien e kundërshtarëve të Ramës, të cilën do ta zyrtarizojnë në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare të PS. Promemoria e përbërë nga rreth 20 pika është me të njëjtin thelb me rezolutën e ish-kryetarit të grupit parlamentar socialist, Ben Blushi, e paraqitur në mbledhjen e Asamblesë së PS të 1 shtatorit 2007. Promemoria është hartuar nga tri grupe pune pranë grupit të deputetëve mbështetës të Nanos në PS dhe e firmosur nga 15 deputetë të PS. Promemoria është firmosur nga disa anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS, përveç deputetëve të njohur si mbështetës të Nanos në Partinë Socialiste. Paraqitja në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare e kësaj promemorieje pritet të shkaktojë debate ndërmjet grupeve në PS, megjithëse, sipas firmëtarëve të kësaj promemorieje, synohet bashkimi i grupeve në PS dhe jo ndarja e tyre.
Promemoria
Në promemorien me rreth 20 pika, theksohet se në PS aktualisht nuk respektohen vlerat e anëtarësisë dhe aktivistëve të PS, se janë përqendruar të gjitha kompetencat në duart e kryetarit të partisë, se ekziston një marrëdhënie në kundërshtim të interesave të PS me aleatët dhe se kjo marrëdhënie me aleatët e PS, sipas promemories, është vetëm në interesin e kryetarit të kësaj partie, Edi Rama. Mbështetur në disa konstatime të bëra publike edhe më parë për problemet që sipas nanoistëve ekzistojnë në PS, kërkohet në promemorie që të rishikohet statuti i partisë, organizimi i saj, marrëdhëniet me aleatët dhe politikat e përjashtimit, siç ishte rasti i përjashtimit të gjashtë deputetëve. Promemoria përmban thelbin e rezolutës së paraqitur nga ish-kryetari i grupit parlamentar socialist, Ben Blushi, në Asamblenë Kombëtare të PS, më 1 shtator 2007. Edhe pse rezoluta Blushi u miratua nga e gjithë Asambleja Kombëtare dhe nga vetë Rama, nuk pati asnjë përpjekje që të punohet për realizuar pikat e paraqitura në rezolutë, të cilat janë të njëjta në thelb me promemorien që pritet të paraqesin në mbledhjen e ardhshme të Asmblesë Kombëtare kundërshtarët e Ramës në PS.
Promemoria e kundërshtarëve të Ramës në PS
Një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare të PSSH
Të shqetësuar për:
- mosrespektimin e vlerave që mbartin anëtarësia dhe aktivistët e PS;
- përqendrimin e kompetencave dhe të vendimmarrjes vetëm në duart e kryetarit të PS;
- mungesën e frymës opozitare të kreut të PS, për shkak të konfliktit të qenies së tij në pushtet si kryetar i Bashkisë së Tiranës;
- marrëdhëniet personale jo në favor të PS të kreut aktual me aleatët;
- humbjen njëra pas tjetrës të thuajse të gjitha betejave elektorale të pas 3 korrikut 2005, mbi 100 komuna të humbura më shumë se 11 qarqe;
-rrëzimi i organizuar e në bashkëpunim i shumë bastioneve elektorale të PSSH, ndoshta në këmbim të karriges së kryetarit të Bashkisë së Tiranës;
-humbjen e garës presidenciale dhe mungesën e analizës për këtë;
-vlerësimet negative për qeverisjen 8-vjeçare të PS;
-shtimin e frymës përjashtuese në forumet drejtuese të partisë dhe në grupin e saj parlamentar; kufizimin e dukshëm të mendimit ndryshe me pasojë rritjen e indiferentizmit politik;
-mungesën e llogaridhënies politike në të gjitha nivelet e drejtimit të PS;
-korrupsionin zgjedhor dhe organizativ në përgatitjen, menaxhimin dhe rezultatet e kongresit të fundit zgjedhor;
Me synimin për:
-rivendosjen e ekuilibrave të përfaqësimit politik në forumet drejtuese të PS në çdo nivel;
-mbrojtjen dhe garantimin e interesave të anëtarëve dhe të simpatizantëve të PS;
-rimëkëmbjen organizative të strukturave të partisë në funksion të fitores në zgjedhjet e ardhshme;
-modernizimin e fuqizimin së bashku të Partisë Socialiste, duke e konsideruar si kapital të shtrenjtë politik dhe njerëzor me rëndësi kombëtare;
-mbrojtjen e interesave aktuale e perspektive të vendit dhe përgjegjësisë ndaj historisë moderne të PSSH;
I kërkojmë Asamblesë Kombëtare të PSSH të vendosë për:
1. rishikimin e statutit për të garantuar një demokraci gjithëpërfshirëse, mendimin ndryshe, legjitimitet zgjedhor, eliminimin e centralizimit dhe kthimin e pushtetit vendimmarrës në strukturat e gjera të partisë;
2. korrigjim organizativ në të gjitha strukturat ku vendimmarrja zgjedhore është deformuar për shkak të listave fiktive të anëtarësisë dhe proceseve të manipuluara të votimit e numërimit të votave, duke përfshirë edhe kongresin e fundit zgjedhor;
3. rikthim të legjitimitetit për Forumin e Gruas Socialiste dhe atë Eurosocialist;
4. rindërtim parimor dhe transparent të bashkëpunimit me faktorët e tjerë opozitarë;
Një parti moderne nuk bashkohet nga përjashtimet, por nga gjithëpërfshirja dhe bashkëpunimi, edhe kur mendojmë ndryshe.
Është ftesë jo vetëm për ata që mendojnë si ne, por edhe për ata që mendojnë ndryshe.