Festivali, një skandal korruptiv që duhet të hetohet
Festivali i 46 i Këngës në Radiotelevizion ishte një provë e fortë e aftësive që ka ky institucion të prodhojë vlera dhe aftësisë për të prodhuar dyshime për vlerat brenda një nate. Pas një regjie fantastike dhe një prezantimi shumë më profesional se edicionet e tjera, një episod i shëmtuar hodhi në erë thuajse gjithë mundin për të ngritur në këmbë këtë institucion të kulturës televizive në Shqipëri. Që në fillim dua të them se nuk jam një specialist i muzikës dhe nuk dua të them asnjë fjalë të keqe për fituesin e festivalit. Ajo ishte një zë premtues për muzikën shqiptare dhe uroj që kjo fitore ta ndihmojë të kultivojë më shumë talentin e saj. Nuk jam i sigurt, nëse do të isha në juri, për kë do të votoja, po sigurisht që mund të votoja për atë këngë që fitoi. Pikërisht këtu lind dhe problemi. Juria në tërësi, sado që ka vullnetin e saj të votojë për kë të dojë, nuk mund të krijojë skena të tilla si ajo e djeshmja. Një juri që pretendon se është profesionale, nuk mund të votojë me një ndarje të tillë, ku gjithë juria i vlerëson këngët në bllok në tërësi, kurse dy anëtarë të jurisë të përmbysin rezultatin, duke i dhënë zero pikë një kënge që të tjerët i kishin dhënë maksimumin. Kjo e bën të qartë faktin që me çmimin fitues u bë pazar i ndyrë dhe njollosi karrierën e një vajze që ndoshta do të ketë të ardhme në muzikën shqiptare, pavarësisht këtij incidenti të rëndë.
Ka shumë arsye, përse dyshimet që shoqëruan dhënien e çmimit duhet të kthehen në objekti hetimi. Së pari, është skena publike e deklarimit të pikëve, ku u shfaq hapur gëzimi i dy anëtarëve të jurisë që me votat e tyre anormalisht të kundërta me shumicën e jurisë rrëzuan një këngë fituese dhe ngjitën në krye të listës një tjetër. Së dyti, ishte shumë psikoanalitik rrëfimi i këngëtarit Alban Skënderi, i cili më parë “kishte dëgjuar” për dallavere në juri, por, tani që ishte vetë, e kuptoi që “nuk kishte” dallavere dhe votoi i fundit, duke përmbysur rezultatin me një vlerësim që nuk ka sens. Së treti, pati realisht dhe një lloj racizmi antikosovar që demonstrohet vazhdimisht në këtë festival ndaj këngëtarëve nga Kosova, të cilët nuk marrin kurrë çmim të parë. Për më tepër u bë kujdes që ky çmim të mos merrej sivjet, kur festivali Eurosong bëhet në Beograd dhe përfaqësimi ynë me dy vajza të talentuara nga Kosova mund të prodhonte politikë të jashtme më shumë se buzëqeshjet e Lulëzim Bashës. Votimi është qartësisht një pazar i pistë që e njollos rëndë festivalin dhe bën përgjegjës drejtuesit e tij. Unë nuk dua të personalizoj fajin dhe nuk dua të hyj më tej në prapaskenat që duan ta brejnë vazhdimisht këtë institucion të këngës së lehtë shqiptare. Por është e qartë se atentati ndaj tij u krye me sukses. E përsëris se nuk jam shumë tifoz i asaj që fitoi çmimin e parë, të dytë apo të tretë. Por një juri nuk mund të ndahet për dy këngët e para, duke i dhënë një pjesë vlerësim maksimal dhe një pjesë vlerësim minimal. Atëherë nuk kemi juri, por një grup ordiner që përdor një pozicion të besimit publik për trafik influence, pasi s’dua të flas për trafiqe të tjera. Ajo që është e dukshme, është se ky festival, i cili dukej se ishte ngritur me mundim, prodhoi në fund një shije të hidhur që e njollos institucionin e RTVSH, po aq sa ç’njollos kombëtaren e Shqipërisë shitja e mundshme e një ndeshjeje futbolli. Në Kosovë ka tashmë një revoltë të ligjshme për atë që ne kemi bërë në sytë e të gjithëve. Unë ndjehem i turpëruar si anëtar i Këshillit Drejtues të RTVSH për këtë ngjarje dhe nuk mund t`i lejoj vetes të jem më pjesë e Këshillit Drejtues të RTVSH, nëse ky institucion nuk heton ngjarjen dhe nuk zbulon arsyet e vërteta të kësaj historie të turpshme.