Reforma zgjedhore, komisioni drejt një mandati të tretë
Meqenëse data 17 nuk është e mjaftueshme, me sa duket koha që komisionit i duhet për të arritur një reformim të sistemit zgjedhor do të rishtyhet ndoshta dhe me tre muaj të tjerë pas zgjatjes së parë me mandatin tremujor në muajin shtator.
Data 17 dhjetor shënon datën e përfundit të kohës që ka në dispozcion Komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur për Reformën Zgjedhore. Si një ndër reformat e domosdoshme, të cilat i shërbejnë zhvillimit demokratik të zgjedhjeve në vend, reforma zgjedhore ka mbartur mjaft diskutime. Ajo që diskutohet më tepër së fundi është çështja e zgjedhjes së sistemit zgjedhor dhe ndryshimi i pragut elektoral, për të cilat partitë me elektorat të vogël janë shprehur qartë se janë kundër rritjes së pragut për të marrë pjesë në parlament. Meqenëse data 17 nuk është e mjaftueshme, me sa duket, koha që komisionit i duhet për të arritur një reformim të sistemit zgjedhor do të rishtyhet ndoshta dhe me tre muaj të tjerë pas zgjatjes së parë me mandatin tremujor në muajin shtator. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe për çështje të tjera të rëndësishme, parlamenti sërish me konsensus do të shtyjë punën për reformën zgjedhore edhe me tre muaj të tjerë shtesë, ndërkohë që deputetë të partive të ndryshme në vend japin mendimet e tyre rreth ndryshimeve dhe bashkëpunimeve që nevojiten për këtë procës. Bashkëpunimi dhe gjetja e një konsensusi midis forcave politike është çelësi, i cili do të ndihmojë në ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend në mënyrë që e ardhmja të rezervojë zgjedhje të pakontestuara nga partitë që mbeten në opozitë. Ndërkohë që problem i pazgjidhur midis dy forcave të mëdha politike në vend, PS dhe PD, me partitë e vogla është kërkesa nga këta të fundit për një sistem proporcional, ku lista e kandidatëve të jetë fillimisht e hapur. Kjo, sipas kryetarit të grupit parlamentar të PR, krijon mundësinë e zgjedhjes të kandidatëve jo sipas propozimeve të kryesive të partive, por preferencave të votuesve shqiptarë. Ndërkohë që komisioni ka arritur t'i përqendrojë diskutimet e tij nga 5 propozimet e ardhura nga ODIHR dhe Komisioni i Venecias, në 2 prej tyre. Bëhet fjalë për një sistem zgjedhor të përafërt me atë gjerman dhe një sistem tjetër, të përafërt me atë spanjoll. Sipas anëtarëve, mbetet të diskutohet rreth dy propozimeve të bëra nga partitë, sistemi proporcional të individualizuar dhe sistemi zgjedhor proporcional rajonal. Reforma zgjedhore ka qenë objekt diskutimi edhe me përfaqësuesit e huaj të politikës, të cilët e kanë cilësuar si një hap që ndihmon dhe ndikon ndjeshëm në afrimin e vendit me strukturat ndërkombëtare në kuadër të integrimit të vendit në BE dhe NATO. Kështu, ajo mbetet një kusht ose kriter i vendosur nga shtetet anëtare të BE, të cilat e mbështesin Shqipërinë në përpjektet e saj për afrim në shoqërinë evropiane.