E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, emigrantëve do t’iu mësohet sesi të kërkojnë të drejtat

Aktualisht, në Itali janë 360 mijë emigrantë shqiptarë me dokumente të rregullta. Ata që kanë nevojë të jenë të informuar mbi të drejtat dhe mbrojtjet që ligji parashikon për ta, që tani mund të kenë mbështetjen e rrjetit të asistencës së krijuar nga sportelet territoriale të Institutit Kombëtar Italian të Asistencës Sociale (INAS), falë Protokollit të Bashkëpunimit që Instituti Mbrojtës (Patronati) i sindikatës italiane CISL ka nënshkruar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë (ISSH). Në delegacionet INAS dhe ISSH, përveç presidentit dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, bënin pjesë edhe zëvendëspresidenti i INAS-it, Sante Marzotto, si edhe drejtori i Departamentit të Përfitimeve të ISSH-së, Saba Goci. Ata ranë dakord që të bashkojnë energjitë për të zhvilluar veprimtaritë institucionale përkatëse në kuadrin e emigracionit, duke shkëmbyer për këtë qëllim informacione, ekspertë, njohuri teknike, si dhe të bashkëpunojnë në frontet e informimit dhe të formimit. Sipas marrëveshjes, do të realizohen fushata për shtetasit shqiptarë emigrantë, të cilët shumë shpesh janë nisur dhe nisen edhe sot, pa pasur të qartë se cilat janë të drejtat e tyre, se si mund t’i kërkojnë ato dhe për të mos humbur ato që tashmë u përkasin. Kjo, sipas marrëveshjes, bëhet me qëllimin që të përhapen njohuritë mbi mbrojtjen dhe asistencën sociale të parashikuar nga kuadri ligjor italian dhe shqiptar dhe që të përsosen shërbimet e ofruara nga Instituti i Mbrojtjes, INAS. Njëkohësisht, do të përpunohet, në mënyrë të përbashkët, një program i përshtatshëm formimi për operatorët e sporteleve të të dy instituteve, me qëllim që të dinë të përmbushin me efektshmëri dhe me kompetencë kërkesat e shtetasve shqiptarë që ndodhen tashmë në Itali ose që kanë ndërmend të shkojnë atje për arsye pune.
“Me këtë marrëveshje, INAS-i, i cili është angazhuar fuqishëm që më parë për t’iu ardhur në ndihmë emigrantëve, duke u mbështetur në legjislacionin italian në fuqi dhe në protokollet e nënshkruara me Ministrinë e Brendshme italiane, renditet i pari në afrimin, orientimin dhe mbrojtjen e komunitetit të shqiptarëve, njërit prej më të mëdhenjve në vendit tonë”, - tha presidenti Panero. “Jemi i pari institut mbrojtës në Itali që kemi lidhur marrëdhënie partneriteti operativ me Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë, që konkretizon angazhimin tonë për t’i bërë këta punëtorë gjithmonë e më të barabartë me punëtorët italianë, për sa u përket të drejtave të tyre. Asnjë politikë serioze e pritjes dhe e përfshirjes shoqërore nuk mund të lërë mbas dore këtë kërkim të barazisë konkrete, që përfaqëson misionin e institutit të mbrojtjes” , - sqaron Panero.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›