Peticioni, Mjekët: Ja pse QKT-ja s’duhet të kalojë në QSUT
Janë 55 mjekë, të cilët kanë firmosur një peticion që thotë se, Qendra Kombëtare e Traumës nuk duhet të transferohet në QSUT, pasi atje, aktualisht ekziston një e tillë. Më parë, një pjesë e madhe e kësaj qendre ishte marrë në mënyrë ilegale nga një klinikë turke, e cila kryente shërbimet e saj atje, pra në pronat shtetërore. Rreth një vit më parë, dr. Artan Distafa e ka ngritur këtë problem, por nuk e dëgjoi kush, madje ngritja e këtij problemi i kushtoi edhe vendin e punës si shef pavijoni. Pas peticionit, të shtunën e kaluar kryeministrit i ka shkuar një letër tjetër nga këta mjekë, në të cilën thuhej se klinika private turke ishte larguar nga ambientet e QKT-së, por përsëri ata janë kundër transferimit, sikur edhe vetëm të ortopedisë. Në fillim të këtij muaji, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka konfirmuar transferimin e shërbimit të ortopedisë nga Spitali Ushtarak në QSUT. Ai u shprehur se, “shërbimi i traumës, së bashku me pjesën e ortopedisë do të qëndrojë në varësi të Spitalit Ushtarak. Në QSUT do të kryhen konsultat ortopedike dhe operacionet e planifikuara, ndërsa traumat do të trajtohen në Spitalin Ushtarak.”
Kalimi i konsultave dhe operacioneve të planifikuara ortopedike nga Spitali Ushtarak në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do të kryhet përmes një urdhri të lëshuar nga ministri Ndoka në fund të muajit tetor, me qëllim që shërbimi i ortopedisë t’u ofrohet pacientëve së shpejti edhe në QSUT. Transferimin e shërbimeve, Ndoka e konsideroi si një shërbim që po iu bëhet qytetarëve, duke marrë parasysh rritjen e popullatës dhe shtimin e numrit të traumave në kryeqytet. “Transferimi i specialitetit të ortopedisë në QSUT u përket qëllimeve të së ardhmes, pasi ne po tentojmë t’i specializojmë mjekët pranë Spitalit Ushtarak, me qëllim që edhe në spitalin “Nënë Tereza” të ketë një shërbim të tillë. Gjithashtu, në QSUT do të funksionojë dhe një spital qendër e dytë e traumës, e cila gjendet në mbarimin e fazës së parë të ndërtimit”, - tha Ndoka.
Ndërkohë, mjekët kundërshtojnë vendimin, duke theksuar se në QSUT nuk ka ambiente të përshtatshme për ofrimin e këtij shërbimi. Sipas mjekëve të shërbimit të ortopedi-traumatologjisë, shërbimi i politraumës është një shërbim i veçantë që nuk mund të transferohet në QSUT, pasi nuk plotëson kushtet. Mungesë kryesore në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” është mungesa e një heliodromi për uljen e helikopterëve që sjellin pacientët, por mbi të gjitha, ajo nuk ofron asnjë korsi emergjence për rastet urgjente. Mjekët pohojnë se, nëse mendohet largimi i shërbimit të ortopedi-traumatologjisë, ai nuk duhet të bëhet gjysmak, pasi shërbimi ofrohet nga shumëllojshmëri ekipesh që duhet të bashkëpunojnë së bashku. Pavarësisht kësaj, drejtoria e QSUT-së, bazuar në urdhrin e ministrit të Shëndetësisë, po përshtat ambientet ku do të vendoset ky shërbim, i cili mendohet të ketë rreth 30 shtretër nga 200 që ofron ky reanimacion polivalent. Ndërkohë, kjo qendër është 15 600 metra katrorë tokë me ambiente.