E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i Vjenës: Korrupsioni ka dëmtuar konkurrueshmërinë e biznesit

Indeksi i konkurrueshmërisë së biznesit në Shqipëri për këtë vit e rendit atë në vendin e 122-të mes 127 vendeve, ndërkohë që vjet ky tregues e numëroi vendin tonë të 119-in mes 121 vendeve. Instituti Ekonomik i Vjenës ka publikuar të dhënat, të cilat janë interpretuar dje nga qendra për tregtinë ndërkombëtare ACIT, e cila ka shpjeguar arsyet pse ekonomia jonë renditet në këtë pikë. Konkurrueshmëria në biznes përkufizohet si tërësia e institucioneve, politikave dhe faktorëve që përcaktojnë nivelin e produktivitetit të një vendi. Pra, është e qartë se indeksi i konkurrueshmërisë në biznes në Shqipëri ka rënë, pasi këta elementë kanë qenë më të dobët sesa vjet. Sipas të dhënave të Institutit Ekonomik të Vjenës, i cili është një nga organizmat më seriozë të botës në përcaktimin e të dhënave të tilla, Shqipëria është e 131-ta në treguesin e ”inovacionit”. Vendi ynë është po ashtu i 117-i në efiçencën e tregut. Në renditjen e vendeve ku tregohet indeksi i konkurrueshmërisë, Shqipëria është para Kamboxhias dhe pas Beninit, dy prej vendeve më të varfëra dhe të prapambetura të botës, njëri në Afrikë e tjetri e në Azi. Ndër problemet e mëdha të vendit tonë numërohen infrastruktura e dobët, administrata joefiçente, korrupsioni dhe paqëndruesghmëria e politikave. Këta katër faktorë kanë bërë që institucionet shqiptare, politikat ekonomike dhe faktorë të tjerë të produktivitetit të jenë më të ulët sesa vjet. Kjo do të thotë se korrupsioni dhe efiçenca e keqe e administratës janë më të dukshme sesa vjet, ose janë më me ndikim sesa vjet. Raporti bën me dije se ndikimi është shfaqur edhe tek ngadalësia e investimeve të huaja, liria ekonomike, lehtësia ndaj biznesit etj. Raporti i Institutit Ekonomik të Vjenës, duket se nuk përgënjeshtron të dhënat e publikuara më herët mbi perceptimin e korrupsionit, pafuqinë dhe paefiçencën e administratës. Një arritje e rëndësishme e Shqipërisë që vihet re në të dhënat e publikuara dhe të interpretuara nga ACIT është mbledhja e të ardhurave ose pagimi i taksave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›