E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeshem gjithmonë me shtetin e Shqipërisë

E gjithë ajo propagandë agresive që është bërë institucionalisht nga shteti serb për gati një shekull, jep rezultatet e veta. Opinioni ndërkombëtar ende është i manipuluar nga makineria propagandistike serbe. Kjo vërteton thënien e vjetër: njerëzit janë të prirur të pranojnë me lehtësi rrenën e vjetër sesa të pranojnë të vërtetën e re. Prandaj, për pavarësimin e Kosovës duhej punuar me shumë seriozitet. Së pari, duhej luftuar në hapësirën mediatike për ta kundërshtuar me mjeshtëri mitin e ndërtuar nga serbët, për Kosovën dhe kosovarët. Për shkak të mungesës së shqiptarëve në skenën ndërkombëtare më shumë se pesë dekada, makineria propagandistike serbe arriti të krijojë një imazh tepër negativ. Për shkak të sistemit totalitar, kosovarët nuk patën mundësi dhe kapacitete të mjaftueshme, kurse Shqipëria si shteti amë, po ashtu. Shqipëria më shumë derdhte pará për grupe komunistësh në Amerikën Latine sesa të punonte për kundërshtimin e makinerisë serbe në fushën ndërkombëtare. Ky imazh i ndërtuar për kosovarin është dhe pengesa kryesore për statusin e Kosovës.
Opinioni ndërkombëtar i krijuar nga lloj-lloj analistësh, ekspertësh, institute sigurie, opinionistësh, diplomatësh…është formësuar gjithmonë rreth kornizës së krijuar nga propaganda agresive qindvjeçare serbe. Për fatin e keq të kosovarëve, ata arritën ta “fabrikojnë pajtueshmërinë” (N. CH) e opinionit ndërkombëtar, për të “vërtetën” serbe.
Askujt më s’i intereson se çka ndodhi me Kosovën më nëntëdhjetenëntën. Çdo gjë u harrua. Koha i shëron plagët. Por çdo kohë manipulohet nga fjalët. Këtë e vërteton rasti i statusit të Kosovës. Secili nga ne ka mëshirë për viktimën, por e respekton të fortin.
Është koha që kosovarët ta braktisin statusin mjeran të “viktimës” së pambrojtur, që iua ngjiti “lideri” i tyre i ndjerë. Nuk ka kuptim jeta, nëse vazhdohet edhe më tej duke lozur viktimën. “Më mirë është të të kenë mëni se të të kenë mëshirë”, (popullore). Personalisht më ka penguar shumë dhe bilé më ka irrituar ky status mjeranësh për kosovarët. Kurrë ky planet s’i ka respektuar mjeranët.
Në vend të pritjes pasive dhe dembele të statusit përfundimtar të Kosovës, se pavarësia do të vinte me kaprojtë e babadimrit, kosovarët duhej t’i centralizonin të gjitha atomet e shoqërisë së saj, për të krijuar opinionin e real për Kosovën dhe kosovarët. Duhej ndërtuar imazhi i ri i Kosovës. Në vend që të fërkonin duart duke pritur të dhurohet pavarësia, duhej punuar për ta bindur opinionin ndërkombëtar se kosovarët kanë kapacitete për të qeverisur me Kosovën. Kosova ka të gjitha atributet për të qenë një shtet i suksesshëm. Kosovarët nuk mund të jetojnë me barën e viktimës deri në amshim.
Por, para se ta bindim opinionin ndërkombëtar në pavarësinë e merituar të Kosovës, duhet së pari të bindim veten tonë. Propaganda serbe, ashtu si ka luajtur rol të madh në manipulimin e opinionit ndërkombëtar, jam i detyruar të them se ka krijuar dyshime edhe ndër ne shqiptarët. Vetë fakti i të qenurit i okupuar gati një shekull, krijon një pajtueshmëri në ndërdijen e njerëzve, për të qenë i sunduar dhe i nënshtruar. Kosovarët duhet ta luftojnë atë ndjenjë. Duhet të punohet haptazi me argumente, se nuk mjafton të qeveriset Kosova nga të huajt. Nëse qeverisja serbe ndërrohet me qeverisjen evropiane, asgjë s’ndryshon për kosovarët. Me këtë zgjidhje, kosovarët sërish nuk janë zot shtëpie. Ata janë përsëri të nënshtruar. Ky është një ndër qëllimet finale të Serbisë. Pavarësia e gjymtë s’është pavarësi. Është manipulim i kosovarëve.
Qeshem gjithmonë me shtetin e Shqipërisë dhe me shqiptarët e Shqipërisë. Më menefregizmin e tyre në lidhje me Kosovën dhe kosovarët. Sikur Kosova mos të ishte në axhendën politike botërore, as që do e kishin përmendur ndonjëherë. Ata, bilé dhe ndjejnë një xhelozi për këtë. Mbase, me gjithë atë animozitet që kam parë dhe ndjerë në Shqipëri ndaj kosovarëve, diçka e pabesueshme! Sot, jam i bindur se gjatë komunizmit ata kanë qenë të overdozuar nga propaganda serbe. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve të mëmëdheut kanë qenë konsumatorë të rregullt të industrisë mediatike serbe. Është kjo një temë e veçantë studimi.
Vetëm nëse i bëjmë një vështrim debateve të shumta të analistëve, opinionistëve, politikanëve… në mediat e Shqipërisë, do të vijmë në një përfundim se aspak nuk dallohen nga deklaratat politike të ndërkombëtarëve…Elita intelektuale shqiptare, duke qenë si konsumatore e rregullt e mediave të huaja, i ndërton pikëpamjet e veta në lidhje me Kosovën nga to. Pjesa dërrmuese e tyre - s’e njeh kosovarin. Tek ata nuk kam vërejtur një pikë emocioni për kosovarët si vëllezër të një trungu apo gjaku. Ashtu si ndjejnë kosovarët. Patriotizmin si nocion, atje e ka gëlltitur snobizmi dhe modernizmi grotesk. Gjer më sot nuk kam dëgjuar një mendim origjinal dhe serioz nga të gjitha strukturat shtetërore dhe civile në Shqipëri për ta arsyetuar pavarësimin e plotë të Kosovës. Mendimi politik në Shqipëri është i retarduar dhe snob. Ata për ta fshehur snobizmin e tyre, merren me eklekticizëm të turpshëm, vetëm e vetëm që të etiketohen si të “moderuar” nga qendrat politike ndërkombëtare. Toni menefregist i debateve të tyre tingëllon sikur Kosova të ishte diku në Afrikë. Bilé ata lënë përshtypjen se “kanë marre që Kosova është në kufi me Shqipërinë”. Nocioni ‘Kosova’ për shqiptarët e mëmëdheut asocion primitivizëm të pakuptimtë.
Kosova duhet ta kuptojë se është e vetmuar në qëllimin e saj të pavarësimit. Këtë luftë duhet ta bëjë me vullnetin dhe vendosmërinë më të madhe. Duhet t’i bindë miqtë, aleatët dhe armiqtë e saj, se Kosova iu takon qytetarëve të Kosovës, ashtu si ndodh me të gjitha shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›