Idrac: “Pasaportat biometrike, kusht i plotësuar për liberalizimin e vizave”
TIRANË - Sekretarja e Shtetit për Tregtinë e Jashtme të Francës, Anne-Marie Idrac, vizitoi ditën e djeshme zyrat e kompanisë “Aleat” së bashku me ministrin e Brendshëm Lulzim Basha. Pasi u njoh me procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe vizitoi ambientet e qendrës së kompanisë “Aleat”, sekretarja Idrac theksoi se cilësia e lartë e pasaportave biometrike shqiptare përbën tashmë një kusht të plotësuar për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian. Nga ana e tij Basha deklaroi se në këtë proces Shqipëria shënon ritmet më të larta në raport jo vetëm me vendet e Ballkanit, por me të gjitha vendet e zonës “Shengen”, çka përbën dhe një nga garancitë më të mëdha për përfundimin me sukses në një kohë sa më të shkurtër të procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.
Po gjatë ditës së djeshme, ministri Basha nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe ato teknologjike. Ministri Basha dhe zv.kryeministrja kroate Adlesiç deklaruan gatishmërinë për zbatimin e plotë të këtij memorandumi që parashikon ndihmën e ndërsjellë në kapërcimin ose zbutjen e fatkeqësive natyrore, shkëmbimin e informacionit, të përvojës dhe trajnimin e efektivave të strukturave homologe të emergjencave civile shqiptare e kroate. ”Ne mbështesim nismën kroate për krijimin në Split të Kroacisë të Qendrës Rajonale të Përgatitjes dhe të Zhvillimit të Operacioneve ndaj zjarreve në pyje dhe më gjerë”, - deklaroi ministri Basha.
24 Shkurt 2010